'Dosjet e Speciales', deri 10 vjet burg për publikuesit e informacioneve të ndjeshme

'Dosjet e Speciales', deri 10 vjet burg për publikuesit e informacioneve të ndjeshme

13:51, 23/09/2020 Nga AZH

Ashtu siç ishte paralajmëruar, shtatori po del të jetë shumë i “nxehtë” sa i përket zhvillimeve pranë Dhomave të Specializuara. Për të tretën herë janë dorëzuar dje mijëra "dosje të Gjykatës Speciale në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – shkruan Syri.net Kosova

"Dosjet" që përmbajnë informacion mbi aktakuzën për presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e PDK-së Kadri Veseli dhe pjesëtarë të tjerë të ish-kupolës drejtuese të UÇK-së, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Xhavit Haliti etj., tani ndodhen në duart e disa mediave pasi u dhanë nga krerët e OVL-së gjatë konferencave për shtyp, të cilët po kërkojnë të publikohen këto "dosje".

Vetëm gjatë ditës së djeshme në konferencën për media të thirrur nga OVL, nënkryetari i saj, Nasim Haradinaj, u konfrontua edhe me gazetarët që ishin të pranishëm, duke kërkuar nga ta që t’i bëjnë publike këto dosje.

“Ju gazetarët jeni për zbulime, urdhëroni! Për mi zbulu duhet mi publiku”, tha Haradinaj.

E dikush nga gazetarët i tha se publikimi i tyre është i ndaluar me ligj dhe se për këtë mund të dënohen, Haradinaj pati reagim të ashpër.

“A jom unë forca e katërt a ti, pse përqef nuk po i publikoj, të isha kanë në media e kishe pa. Shtrëngo edhe mos fol…unë i qita emrat edhe 300 vjet burg mi jepni… mos më thuaj qiti ti. Ti je media, je forca e katërt e shtetit. Unë ti tregova pesë të akuzuarit potencialë”, tha Haradinaj.

Por, për juristen Flutura Kusari, publikimi i çfarëdo lloj informacioni në lidhje më këto “dosje” është vepër penale dhe se Kosova nuk e gëzon të drejtën për të pasur qasje në këto dokumente.

“Publikimi i këtyre dokumenteve, përfshirë aktakuzat apo çfarëdo informacioni që nuk është bërë publik nga vetë prokuroria apo gjykata, përbën vepër penale të shkeljes së fshehtësisë së procedurës dhe është i dënueshëm deri në 10 vite burg”.

“Respektimi i fshehtësisë së procedurës garanton trajtim dhe gjykim të drejtë për personat e hetuar dhe të akuzuar dhe mbrojtje të dëshmitarëve. Prandaj, të gjithë ata që janë në pozitë për të publikuar informacione, nderin më të madh që do të mund t’ia bënin personave të akuzuar është duke i respektuar procedurat penale” – shprehet ajo për Syri.net Kosovën.

Kusari më tej ka sqaruar se çfarë mund e çfarë nuk mund të publikojnë mediat në Kosovë dhe rajon.

“Gazetarët janë të obliguar që të respektojnë standardet etike dhe ligjore dhe nuk kanë të drejtë që të publikojnë informacione nga Specialja, edhe nëse posedojnë aktakuza apo shkresa të tjera. Ka pak media brenda dhe jashtë Kosovës që kanë publikuar informacione në mënyrë të kundërligjshme. Ato media nuk meritojnë respekt dhe mund të ballafaqohen me përgjegjësi penale.  Aktualisht, mediat kufizohen në publikimin e informacione që publikohen nga vetë prokuroria dhe gjykata, ndërsa nëse fillon gjykimi i ndonjërit nga të akuzuarit, gazetarët do të jenë pak më të lirë në publikimin e informacioneve” – përfundon Kusari për Syri.net Kosovën.

Njëjtë është shprehur edhe avokati i autorizuar nga OVL, Tomë Gashi. Gjatë një bisede me Syrin, ai ka thënë se çdo publikim i emrave të dëshmitarëve është vepër penale dhe parashihet edhe burg për ta.

Ai tutje shtoi se mund të kemi dosje të tjera që priten të dorëzohen, pasi një gjë e tillë sërish është premtuar nga njeriu misterioz që i ka sjellur ato.

Kurse, në anën tjetër, janë mediat e Shqipërisë, disa prej të cilave kanë publikuar 'dosjet' e Gjykatës Speciale.

Për këtë, avokati i licencuar pranë kësaj gjykate, Arianit Koci, e ka krahasuar situatën me atë të Edward Snowden.

Ai theksoi se është i ndaluar publikimi i këtyre dokumenteve, pasi qw nëse do të kemi vrasje të dëshmitarëve të mbrojtur, atëherë dënimi është së paku me 10 vjet burg për ata që i kanë publikuar.

Për gjithë këtë skandal që po ndodh, zyra për media e  Prokurorit Special thotë se është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht me forcë individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të shpiejë në identifikimin e tyre, ndërsa akuzon Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, e cila, sipas tyre, është përfshirë në aktivitete që kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco