Një vjetori i sulmit në Banjska, CEFTA dhe sanksionet ndaj Kosovës

Një vjetori i sulmit në Banjska, CEFTA dhe sanksionet ndaj Kosovës

Nga Dren Dushi - 24/09/2024

Sot bëhet një vit, që kur Vuçiq bëri një test ndaj bashkësisë ndërkombëtare, KFOR-it, QUINT-it dhe Kosovës, një test që, ndonëse ne mund ta shpallim se i ka shkuar huq, lë shumë gjëra për diskutim.

Vuçiq sot është mirë, ai vizitohet e viziton diplomatë e krerë shtetesh të BE-së, merr lëvdata nga Ambasadori amerikan në Beograd C. Hill, nënshkruan kontrata armatosje me Francën (ani pse ka shumë kontrata tjera edhe me Kinën e Rusinë), blenë avionë interceptues të klasit të dytë (nëse jo të parë), nënshkruan kontrata litiumi, merr donacione dhe thith fondet miliardëshe të BE-së në nivelin më të madh në Ballkan.

Në të njëjtën kohë, Vuçiq dërgon ndihmësit e tij në takim me ndihmësit e V. Putin, ruan kontaktet me Rusinë, i jep instruksione vartësve në Qeveri, Presidencë, Ushtri, që të deklarojnë se Serbia nuk do të vë kurrë sanksione ndaj Rusisë.

Por nuk mjafton me kaq, në Mal të Zi, përdorë serbët malazezë për të shtyer politikat serbo-madhe, nga atje ndihmon platformën e M. Dodik në Bosnje, duke ngjallur konflikt mes kroatëve, serbëve dhe boshnjakëve. Direkt në Bosnje e Hercegovinë, sfidon rendin kushtetues, i jep instruksione Dodikut që të ecë kah BRICS, pastaj jep sinjale se do ecë edhe ai në atë drejtim, për të bërë që BE të hyjë në panik, e për t’i hapur akoma më shumë mundësi.

Në Kosovë, me planin e kopjuar nga shërbimet e inteligjencës ruse, përdorë platformën Wagner për organizimin e një shteti paralel, të kamofluar nën partinë politike serbe të regjistruar në Kosovë me emrin Srbska Lista, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe që udhëhiqet nga banditë që SHBA-të i kanë në listë të zezë. Kjo “parti” politike, udhëhiqet nga grupe kriminale, të armatosura, të trajnuara, që përveç financimit nga shteti serb, financohen edhe nga kapot lokal të drogës, prostitucionit, klandestinit etj. Po këta, me urdhra të Vuçiq, organizuan sulmin e armatosur në Banjska, u vendosën në një Kishë, për të pasur efekt propagandues se Kosova po sulmon Kisha, vranë policin Afrim Bunjaku në detyrë, dhe bënë një luftë terroriste kundër policisë së Kosovës e cila me profesionalizëm arriti t’i përzë në Serbi, me gjasë pas një intervenimi nga bashkësia ndërkombëtare.

Vuçiq është më i pasur dhe mirë vendosur strategjikisht sot, se para invasionit rus në Ukrainë, ai ka vetëm një humbje të cilën nuk po do ta pranoj, dhe e cila humbje, po bën që tërë bashkësia ndërkombëtare, t’i kërkoj Kosovës që humbjen e Vuçiq, t’ia kthej atij të paktën në mos humbje, meqë ai është mësuar vetëm të fitoj.

Kjo humbje e tij, është humbja e kontrollit të veriut të Kosovës, humbja e Milan Radoiçiq, vëllezërve Veselinoviq, laboratorëve të drogës, armatimit ushtarak që e dërgoi në Kosovë e që Kosova e konfiskoi, humbjen dhe turpërimin në Banjska, dhe kërkesat e perëndimit, me gjysmë zëri e zemër të thyer, për ta arrestuar Radoiçiqin. Humbja është edhe politike, edhe strategjike, sot veriu i Kosovës është edhe de-fakto i Kosovës, meqë nuk ka qenë për dy dekada, me ish liderët e Kosovës, që Radoiçiqin e kanë pasur ortak politik, herë-herë edhe ekonomik, në emër të bashkëjetesës multi-etnike dhe tentim blerjes së imunitetit nga drejtësia e ligji, për kapjen, kontrollin dhe plaçkitjen e shtetit.

Banjska ka tronditur edhe bashkësinë ndërkombëtare, dikur këto gjëra kanë qenë të pa mundshme për Kosovën, meqë Lista Serbe me organizimin e brendshëm për minim të shtetit të Kosovës, ka qenë pjesë e qeverisë, madje edhe pjesë e takimeve me Kryeministra, për të bërë marrëveshje terreni dhe blerje “paqe” të brishtë, duke injoruar krimin e organizuar, armatimin, cenimin integritetit territorial dhe rendit kushtetues, të cilat mund të kenë qenë të pa rëndësishëm për disa ego banditësh që target kishin rritjen e tregjeve partiake të naftës, gurëthyesve e kompanive plaçkitëse të sigurimit.

Afrim Bunjaku është viktimë e injorimit të “elefantit në dhomë”, ky elefant është Lista Serbe, Milan Radoiçiqi, plani i Vuçiq për Kosovën, të cilin plan ai e thotë edhe publikisht, që do të thotë se duhen pritur rrethana të reja gjeopolitike (të cilat mund të jenë krijuar pjesërisht nga invasioni rus në Ukrainë dhe ledhatimi që po i bën perëndimi) dhe ai të sulmoj Kosovën (siç bëri në Banjska) dhe ta copëtoj atë, nëse nuk arrin ta pushtoj tërësisht.

Banjska ka tmerruar Vuçiqin, por jo vetëm, ka tmerruar edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila, e frikësuar nga mundësia që Vuçiq do jap një urdhër ushtrisë serbe për të marrë nën kontroll veriun e Kosovës në emër të mbrojtjes së serbëve nga “dhuna e Kurtit”, do të merrte vendim që përgjegjësinë për sulmin ndaj Kosovës, t’ia vesh Kosovës, që përgjegjësinë e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it të organizuar nga Radoiçiq, t’ia vesh po Kosovës, sikurse edhe përgjegjësinë për mos nënshkrim të marrëveshjes së Brukselit, bojkotimit të zgjedhjeve e lëshimit të institucioneve. Të gjitha këto përgjegjësi, në adresë të Kosovës, anipse të bëra nga Vuçiq, vijnë si pasojë e veprimeve të Qeverisë Kurti, për të kryer punën që atij ia detyron Kushtetuta e Kosovës, të cilën e kanë pranuar po këto shtete që sot i vënë edhe sanksione Kosovës, meqë ushtron sovranitetin në territor të vet, dhe meqë kryen detyrat e përcaktuara nga Kushtetuta e vet.

Kosova gjendet nën sanksione si pasojë, nuk është vetëm e sulmuar, por edhe e sanksionuar. Serbia në anën tjetër, sulmuesja, nuk është nën sanksione, por vetëm i kërkohet (në seri), ta arrestoj Milan Radoiçiqin, dhe të jap arsyetim përse sulmoi në Banjska, sado qesharake të duket. Kosova kërcënohet madje edhe me përjashtim nga procesi CEFTA-s, meqë ka bllokuar prurjen e keksave pllazmave kombinuar me eksplozivë dhe kalashnikovë për të vrarë ndonjë polic tjetër si Afrim Bunjaku, i kërkohet që të lejoj prurjen e mallërave serbe, anipse ky mall, po përmbanë fishekë, pancirë, raketa-hedhës e mjete tjera luftarake.

Nuk shkruan askund në CEFTA se lejohet tregtia e lirë e armëve për qëllime ceduese të territoreve të ndonjë shteti më të vogël nga ndonjë shtet më i madh, por kështu e do puna aktualisht, Serbia duhet të jetë nën kontroll me sa më shumë karrota, derisa të përfundoj lufta në Ukrainë. Nuk e dimë çfarë i është premtuar Serbisë nga Kosova, por ajo që dimë është se Kosovës i kërkohet të lejoj tregun serb të hyj në Kosovë, edhe nëse herë pas herë vret ndonjë polic të Kosovës, kidnapon ndonjë tjetër. I kërkohet të zbatoj një pikë të marrëveshjes së Ohrit, pa zbatuar asnjë tjetër pala tjetër. I kërkohet të zbatoj një pikë të një marrëveshje për të cilën Serbia ka deklauar se është tërhequr, dhe që në esencë nuk është bërë kurrë obligim ndërkombëtarë meqë nuk është nënshkruar.

Por nuk duhet dëshpëruar, dhe ka zhvillime pozitive. Populli i Kosovës, e ka kuptuar realitetin e vet, të shtetit të vet, të Kushtetutës, dinjitetit, dhe ka krijuar një Qeveri të fortë, e cila nuk mund të rrëzohet vetëm se i teket një të dërguari të huaj, apo një Ambasadori që bën biznes me oligarktë të ngritur nga mos-sundimi i ligjit.

Nuk ka kërcënim aq të madh serb, sa të sfidoj ekzistencën e Kosovës, vetëm se kjo ushtron sovranitetin e saj. Jo, ka një Kosovë, e cila më shumë se gjysmën e kufirit të saj e ka me shqiptarë, e cila ka në jug një shtet shqiptar në NATO, e cila garanton 20 ulëse për minoritete dhe e cila për herë të parë, ka bërë hapa serioz në fuqizimin e ushtrisë së vet.

Sot FSK është më e pregatitur se kurrë, me armë më moderne, e trajnuar nga aleati kryesor i Kosovës, SHBA-të, një ushtri profesionale e cila aspiron NATO-n dhe ruajtjen e paqes dhe demokracisë. Por nuk qëndron pas as Policia jonë, e cila siç dëshmoi në Banjska, është e gatshme për të vazhduar atë që ky komb e ka nisur shumë kohë më parë shumë shekuj më parë, me Gjergj Kastriotin, Isa Boletinin e Adem Jasharin. Ne kemi pasur dinjitet edhe shumë më të dobët, sot jemi më të fortë se kurrë, dhe jemi kështu sepse kurrë nuk kemi sulmuar të tjerët, vetëm jemi mbrojtur.

Banjska ka ndryshuar shumë gjëra, sado që ka forca që po mundohen të kthejnë kohën pas, e të injorojnë këtë ngjarje, agresion serb kundër Kosovës, që dështoi, e që nuk mund të ndryshohet, meqë forma e vetme për ta ndryshuar është një sulm ndaj NATO-s, të cilën Kosova e ka ftuar vet 25 vite më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco