Po me urën ç’kanë?

Po me urën ç’kanë?

Nga Alban Krasniqi - 11/08/2024

Në leksikografi fjala "urë" përkufizohet si:

• Një strukturë që është ndërtuar mbi një rrugë, hekurudhë, lumë, etj., në mënyrë që njerëzit, automjetet, etj., të mund të kalojnë nga njëra anë në tjetrën;

• Një gjë që siguron një lidhje ose kontakt midis dy gjërave të ndryshme.

Edhe fetë e ndryshme i japin një kuptim simbolik dhe shpirtëror urave, duke i parë ato si simbole të lidhjes, pajtimit dhe kalimit nga një gjendje ose botë në tjetrën. Për shembull, në krishterim, urat simbolizojnë pajtimin dhe lidhjen midis njeriut dhe Zotit; në islam, përmes urës, njerëzit e drejtë do të jenë në gjendje ta kalojnë xhehenemin dhe të arrijnë xhenetin; në budizëm, urat përfaqësojnë tërë procesin jetësor, po ashtu edhe kalimin nga errësira (injoranca) në dritë (dije); në hinduizëm, urat simbolizojnë kalimin midis botës së përkohshme dhe asaj të përjetshme, ose midis iluzionit dhe të vërtetës supreme; në judaizëm, urat përfaqësojnë lidhjen midis njerëzve dhe Zotit, si dhe midis vetë njerëzve. Ato simbolizojnë kalimin nga një gjendje mëkatare në një gjendje të pastërtisë përmes pendimit dhe pajtimit. Pra, siç po shihet, në përgjithësi, urat në fe kanë një kuptim të thellë shpirtëror dhe simbolik, duke përfaqësuar lidhje, kalime dhe pajtime të rëndësishme, qoftë në nivel fizik apo shpirtëror.

Ura e Ibrit, e ndarë për njëzet e pesë vjet, u bë simbol i ndasisë dhe tensioneve; u bë reflektim i konfliktit etnik e politik dhe një ndërgjegje vrastare për Bashkësinë Ndërkombëtare. Bashkësia Ndërkombëtare kurrë nuk mori hapa konkretë për rihapjen e saj. “Rihapja” e saj mbeti vetëm në imagjinatën e saj, ku, pikërisht në këtë imagjinatë, ky “projekt” mbeti i ndrydhur dhe i mbyllur. Sot, më shumë se kurrë, po flitet për rihapjen e saj. Rihapja e Urës është më shumë se thjesht një akt fizik; është një shprehje e vullnetit për të kaluar nga një fazë konflikti në një fazë të re, në atë të integrimit dhe bashkëjetesës; është një theksim i parimeve dhe vlerave themelore mbi të cilat thirret Bashkimi Evropian, si: paqe dhe stabilitet, funksionimi i shtetit të së drejtës, solidaritet dhe bashkëpunim, integrim ekonomik, etj. Çuditërisht, në vend që Bashkësia Ndërkombëtare të përgëzojë dhe inkurajojë Qeverinë, ajo doli kundër rihapjes së urës, e cila, në mënyrë simbolike, doli kundër parimeve dhe vlerave themelore të vetë BE-së. Ajo kërkon “stabilizim”, duke joshur destabilizimin; ajo agresorin e trajton si viktimë, e viktimën si agresor. O tempora! O mores! Kundërshtimet që vijnë nga këto qarqe nuk janë gjë tjetër veçse kundërshti ndaj së drejtës humane dhe hyjnore. Mjerisht, edhe opozita jonë e çalë po vepron si siluetë, pasi që, duke mos guxuar hapur ta kundërshtojë rihapjen, nuk po guxon hapur ta kërkojë rihapjen e saj, sepse ka frikë se do të kryqëzohet “për shprehjen e vullnetit të lirë”. (Volteri thoshte: “Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë!”). “Aprovimi” i saj për hapje është vetëm kërkesë për ta kapur, të paktën, një gjethe nga kurora e dafinës, e që në fakt do të ishte një gjethe fiku për ta mbuluar lakuriqësinë e veprimeve të turpshme.

Tek shohim këtë hezitim nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe opozita jonë, vetvetiu shpërthen një klithmë: “Po me urën ç’kanë?”. Ura duhet të hapet, sepse është vullnet i popullit, një vullnet që buron nga e drejta dhe nevoja për kalimin nga një fazë në tjetrën, nga konflikti në integrim dhe bashkëpunim. Kjo urë, nëse vazhdon të mbetet kështu, do të shihet si një muze që mban në vete turpin e njerëzimit. Të gjithë ata që do të kalojnë mbi të ose pranë saj, do të psherëtijnë, duke kujtuar Urën e Psherëtimave, se a është e mundur të ekzistojë një marrëzi e tillë? Ajo do të na kujtojë Urën Glienicke, e cila, gjatë Luftës së Ftohtë, prodhoi vetëm tensione dhe pasiguri. Ajo funksiononte vetëm për shkëmbimin e spiunëve dhe jo për lëvizjen e lirë të njerëzve. Pikërisht kjo urë, bashkë me Murin e Berlinit, u bë një damkë e Fuqive të Mëdha.

Nuk mund të presim një ndryshim të mundshëm gjeopolitik (siç ndodhi me rënien e ish-Bashkimit Sovjetik) për hapjen e Urës së Ibrit, sepse hapja e urës është një imperativ i kohës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco