Ura e Ibrit dhe marrëdhëniet midis Presidentes e Kryeministrit!

Ura e Ibrit dhe marrëdhëniet midis Presidentes e Kryeministrit!

Nga Enver Bytyçi - 08/08/2024

Para dhjetë ditësh, kur në Bruksel u tha se “nuk duhet hapur Ura e Ibrit, pasi që ajo është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ashpër kundër kësaj deklarate, më duket të zëdhënësit Stano, duke thënë se hapja e urës është çështje e institucioneve të Kosovës dhe se siguria jonë realizohet në koordinim me NATO-n”. Ishte ky një reagim konform një realiteti të caktuar dhe në mbështetje të deklaratave të anëtarëve të kabinetit Kurti për hapjen e kësaj ure. Arsyetimi i zonjës Osmani ishte në të njëjtën linjë me atë të qeverisë.

Por të nesërmen ose të pasnesërmen e asaj dite kur presidentja u deklarua për urën, ishte ambasadori amerikan, Hovenier, ai që foli kundër hapjes së saj. Madje foli në emër të vendeve të QUINT-it dhe në një fjali ai përmendi se “vendet e QUINT-it janë konsultuar edhe me NATO-n”! Kjo fjalia e konsultimit me NATO-n në fakt kishte për qëllim që t’i japë përgjigje deklaratës së presidentes Osmani. Dhe prej asaj dite debati publik është pro dhe kundër qëndrimeve të ambasadorëve, ashtu si edhe pro e kundër qëndrimeve të kryeministrit Kurti.

Përmenda deklaratën e zonjës Osmani për hapjen e Urës së Ibrit, për të vënë në dukje se qëndrimet e presidentes dhe të qeverisë nuk janë të kundërta, madje janë shumë të përafërta. Është e vërtetë se presidentja gjithmonë, shumë më tepër se sa kryeministri, ka kërkuar koordinim me aleatët e Kosovës, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çdo veprim të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës në veri ajo e ka mbështetur. Por është po aq e vërtetë se ajo i ka marrë në mbrojtje dhe i ka argumentuar pozitivisht të gjitha veprimet që janë kryer nga qeveria. Sigurisht ka pasur nuanca dalluese për mënyrën e zbatimit të ligjit në veri të vendit, por jo kundërshti, jo qëndrime krejt të kundërta. P.sh. kur qe fjala për organizimin e zgjedhjeve në veri, e para ishte zonja Osmani ajo që kërkoi që zgjedhësit e katër komunave në mbi 20 përqind të tyre t’i kërkonin ato zgjedhje. Fillimisht jo, por në fund edhe Kurti iu bashkua kësaj logjike kushtetuese. Ndërkohë ambasadorët kërkonin dorëheqje të kryetarëve në detyrë, gjë me të cilën nuk u pajtua as zonja Osmani, as zoti Kurti.

Thyerja e parë publike midis institucionit të presidentit dhe qeverisë ishte rasti i letrës së zonjës Gërvalla për të marrë përsipër krijimin e asociacionit me kusht pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Zonja Osmani reagoi me kritikë për shkak se qeveria nuk u konsultua me presidenten e vendit për këtë letër. Ligjërisht ajo duhej konsultuar. Por unë e kam lexuar reagimin e zonjës Osmani si kundërshti për asociacionin, sepse edhe ajo ka qenë gjithnjë kundër krijimit të tij pa garanci ligjore të aleatëve. Ndërkohë ajo letër merrte parasysh krijimin e asociacionit pa kërkuar garanci.

Ka nga ata që fërkimet midis presidentes dhe kryeministrit ose zv. kryeministres Gërvalla i lexojnë si qëndrime të papajtueshme për politikat qeverisëse. Këtë e ka favorizuar ndoshta thirrja e vazhdueshme e zonjës Osmani për t’u koordinuar me ndërkombëtarët. Ndërkaq që ajo në parim ka kërkuar vazhdimisht këtë koordinim e në praktikë ka mbështetur aksionet politike për vendosjen e rendit shtetëror në veri të Kosovës. Atëherë lind pyetja pse kjo përplasje, të cilën e pamë edhe në rastin e incidentit në aeroportin e Shkupit? A ka diçka serioze midis presidentes dhe kryeministres, apo janë thjesht perceptime të gabuara dhe keqkuptime në marrëdhëniet midis tyre?! Pse gjithashtu zoti Kurti e vlerësoi incidentin si pa rëndësi dhe pse institucioni e presidentit reagoi kundër qëndrimit të kryeministrit? Pse duhet që të dy palët të bëjnë show publik me çështje që mund t’i bisedojnë e t’i zgjidhin bashkërisht?

Nuk besoj te ndonjë konflikt parimor, ndonëse edhe kjo nuk përjashtohet. Ka një lloj dualizmi politik. Ka edhe pakënaqësi. Ka gjithashtu përpjekje për të mos u koordinuar me presidenten. Dhe të gjitha këto ndodhin. Kush merr detyrën e presidentit apo të kryeministrit do të duhet të llogarisë të përballet me të tilla ndjesi, emocione dhe keqkuptime. Nëse grindjet kanë shkak dhe motiv anën emocionale dhe përpjekjen për prestigj që ta jep funksioni e pushteti, atëherë këshilla ime do të ishte të lihen mënjanë këto sentimente dhe të shihet interesi i Kosovës. Nëse ka konflikt parimor, atëherë duhet të shtrohen të dy palët e të bisedojnë si do të kapërcehen dallimet parimore midis tyre. Vetëm kur nuk ka mundësi tjera, atëherë mund t’i drejtohen publikut, por me rriskun që mbas testimit të opinionit publik, ai që humbet të japë dorëheqjen.

Kosova nuk duron më një konflikt tjetër midis institucioneve në vend. Presidentja dhe kryeministri, edhe sikur të ishin përfaqësues të partive kundërshtare, janë të dënuar të bashkëpunojnë. Bashkëpunimi midis tyre është obligim kushtetues. Ndryshe dëmi që mund t’i shkaktohet vendit është shumë i madh. Dikush është i interesuar që të ketë përçarje dhe marrëdhënie konfliktuale midis tyre. Mos ua plotësoni dëshirën atyre dashakëqijve!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco