Kostoja e pushimeve në Shqipëri dhe tregu i lirë

Kostoja e pushimeve në Shqipëri dhe tregu i lirë

Nga Dren Dushi - 12/07/2024

1. Efekti diasporë 

Ulqini ka qenë e vetmja hapësirë bregdetare për masat e turistëve të Kosovës deri pas luftës. Një qytet i bukur, ku ishin bashkuar shumë shpirtra, ishin kaluar shumë muaj “të mjaltit” e ku kishte shumë kujtime romancash të kosovarëve. 

Diaspora kosovare, e dalë kryesisht nga shtresat ekonomike të dobëta të Kosovës (emigracioni ekonomik), e dislokuar në punë kryesisht fizike (brezi i parë dhe dytë), dhe e ndodhur në një izolim social në vende të huaja (meqë është shumë e vështirë të shoqërohesh me kultura tjera, pa arritur të paktën 70% të statutit të tyre), ata do ta kenë shumë të vështirë të gjejnë partnerët e tyre të martesës, diçka shumë e rëndësishme për kosovarët. 

Të ndodhur zakonisht nën presionin familjar kosovar, diaspora “duhet” të gjej një vajzë apo djalë shqiptar, si bazë, e pastaj të fesë së njësojtë, si preferencë. Por mundësia që këto kushte të plotësohen në rrethin e diasporës kosovare, konkurrohet nga Kosova, me rininë më të madhe në Evropë, apriori, me bukurinë e rinisë. Kjo bën që diaspora, të “peshkoj” gjene të bukura në Kosovën e varfër, përmes, kryesisht, ofrimit të një jete më të pasur në perëndim. 

Çfarë ka lidhje kjo me temën? 

Sidomos djemtë kosovarë të diasporës, do bëjnë çmos, që gjatë pushimeve në Ulqin (të cilin e kemi shtrenjtuar tash e 15 vite),  e tash edhe të pushimeve nëpër Shqipëri, të impresionojnë një bukuroshe kosovare. Për këta djem, është shumë e rëndësishme që atë javë apo ato dhjetë ditë në bregdetin shqiptar, të mos kursejnë, sepse bëhet fjalë për gjenet e fëmijëve të tyre, pra ata paguajnë shtrenjtë. 

Ata, ndonëse akoma përgjithësisht punëtorë të sektorit fizik me pak përjashtime, vijnë në bregdetin shqiptar me vetura luksoze, shumë luksoze, me para të grumbulluara nga puna e një viti, vendosen nëpër hotele, nuk shikojnë çmimet, kanë ari të rëndë nëpër qafat e tyre, që duhet t’i largojnë pas ca ditësh që të mos  ju mbetet ajo pjesë pa nxirë nga dielli, kanë veshje të shtrenjta ndonëse Kosova ua përqesh si pa shije, dhe japin shumë para nëpër gastronomi, që të impresionojnë gjenet e bukura kosovare. 

Fillimisht për Ulqinin, e pastaj për bregdetin shqiptar në përgjithësi, kjo ishte diçka shumë me leverdi, ata rritën çmimet, meqë thanë; “këta paskan shumë para, ose pak para e hiq mend”. 

Mund të kaloj një javë në bregdet, e pastaj dy në Kosovë, dhe pas pak muajsh, të kemi një dasmë tallavaje diku nëpër “sallat e dasmave” pa shije të Kosovës. Por me rëndësi, gjenet janë siguruar. 

Tregu është i lirë, dhe i përgjigjet çdo fuqi blerëse, këtë e ka bërë edhe tregu bregdetar shqiptar, por a është vetëm një faktor, në këtë rast diaspora jonë, që na mban gjallë çdo sektor, “fajtor” për shtrenjtimin e bregdetit shqiptar? Jo, nuk është. 

2. Paratë e drogës dhe hotelet 5 yje me mbeturina rrethinës 

Isha në Durrës pak vite më parë, për të qenë më preciz, te Shkëmbi i Kavasë. Ishte dimër, dhe posa kishte filluar një ndërtesë që për pak kohë ishte bërë 8 kate, kishte pak më shumë se një metër tretoar. Pronari që po e ndërtonte, vinte me një Mercedes që i dukej qepja e lëkurës në tapiceri, klasa S AMG, më e shtrenjta e serisë, nuk kishte më shumë se 30 vjet. Kur shkova herën tjetër pas 5-6 muajsh, ndërtesa kishte përfunduar, super luksoze, ndonëse ishte rreth 300 metra larg detit, dhe kishte ndërtesa pa asnjë plan rreth vetes, çdo gjë shihej nga jashtë, ishte luksoze në mobile, piktura, ndriçues, pllaka. Por nuk dukej të kishte asnjë turist brenda, ani pse ai hotel, punon edhe dimrit, dhe mban ndezur 8 kate drita. 

Sigurisht, mund të jetë rast i izoluar. Por nga të dhënat që kemi nga Interpolit, lajmet që shohim çdo ditë në media, dhe deri te involvimi i Ministrave të Eid Ramës në klandestin droge, sikurse të dhëna që tregojnë se turizmi në Shqipëri është një nga katër mekanizmat për shpërlarje parash të krimit të organizuar, mund të kuptojmë, se sa e rëndësishme është për shefin e atij hotelit super luksoz, një pagesë 50 euroshe për qëndrim në një natë. Jo, për të, 50 euro janë asgjë, dhe nëse do të hysh në hotel të tij, duhet të paguash 100 euro për një natë, sepse kështu ai e ka bërë tarifën, sepse kështu ai bënë shpërlarjen e milionave të tij. 

3. Mendësia e pushuesve turmë 

Klima e Shqipërisë ofron mundësi për pushim edhe në Maj, edhe në Shtator, madje edhe në Tetor, por kosovarët, që me gjasë i përshtaten pushimeve edhe të diasporës për arsye të shprehura në fillim, bëjnë “pelegrinazhin” turistik kryesisht në Gusht, dhe fund Korrik. Kjo bën që kapaciteti të mbi popullohet, dhe sigurisht, kur ka kërkesë më të madhe se ofertë, çmimet rriten, sipas çdo logjike të tregut e ekonomisë. 

Por kosovarët në përgjithësi, kanë një mendësi përshtatëse më të madhe në turma, pra në masa të mëdha, nuk ju rrihet në qetësi, kur nuk ka shumë njerëz, zhurma, i thonë “ishte vdekur”. Dhe në Maj, sigurisht që nuk do ketë çdo 30 metra ndonjë muzikë tallavaje, apo ndonjë rep muzikë që i këndon kokainës e organeve gjenitale, dhe këto muzika janë sepse ka kërkesë për to. 

Kjo mendësi, vjen nga forma si kosovarët, në përgjithësi, kanë ndërtuar për shumë vite familjet e tyre. Familje të mëdha e të përziera, me disa vëllezër në një kulm, me prindër, me shumë fëmijë të përzier nga disa familje, ky është ambienti “adekuat” sipas tyre, “i gjallë”. Kjo mendësi, ndonëse po humb terren me emancipimin dhe krijimin e familjes bashkëkohore, vazhdon të jetë akoma e fuqishme. 

4. Mendësia e pasurimit të shpejtë

Një vend i varfër si Shqipëria, të cilit po i ikën popullata dhe po i mbetet vetëm piramida klienteliste e Partisë Socialiste, kur ofrohen këto kondita për të bërë para, ata tentojnë t’i shfrytëzojnë sa më shumë. Kështu, nëpër marketet bregdetare, shumica e çmimeve të produkteve largohen në kohë të sezonit, dhe ose vendosen tjera të përkohshme, ose bëhet çmimi “sipas çehres”.  

Të gjitha hapësirat e mbetura, shfrytëzohen për parkingje, meqë ndërtimi kriminal bregdetar, nuk ka paraparë asnjë rregull urbanistik, këto parkingje, shkojnë deri në 10 euro dita. 

Kur vie puna te shezllonet, ato kërcejnë nga 3-5 euro nga java në javë, për të arritur te një mesatare 10 euro, pa asnjë kupon fiskal, dhe afër njëra tjetrës si në ndonjë stadium, pikërisht siç u pëlqen edhe shumë kosovarëve, sidomos atyre që duan “të hyjnë në fore”. 

Për një apartament me kuzhinë, meqë kosovarët përveç që nuk arrijnë të paguajnë koston e restauranteve bregdetare, që gati ka arritur koston e bregdetit Italian, edhe kanë frikën (traumën) e derrit, ashtu siç i kanë mësuar hoxhallarët dhe gjyshërit, duhet të paguash të paktën 50 euro jashtë sezoni, e deri në 100 në sezon. Por edhe këtë, kosovarët e përballojnë, sepse hyjnë 5, 6 e 7 vetë në një apartament, vetëm me kusht që të jenë në det. 

5. Marketingu i të impresionuarëve që nuk kanë parë gjë akoma

Kur kosovarët “e zbuluan” Dhërmiun, pastaj Ksamilin, ata menduan se kanë zbuluar atë që zbuloi Cristo Kolombo shekuj më parë. Mendësia e instagrameve, kombinuar me varfërinë që do të shpreh sa më shumë kamje, bëri që marketingu të bëhet gratis. 

Dhërmiu sidomos, ishte “themeluar” nga elita urbane e Kosovës, për tu komercializuar pastaj, meqë kur morën vesh banditët e Kosovës, se atje ka klasë, bukuri natyre, posh, ata mbushën gjYpat e tyre naftë dhe u turrën atje për “peshkim”. Sigurisht, pastaj u turrën edhe ato që deshën të “peshkohen” dhe Dhërmiu përjetoi atë që kishte përjetuar Ulqini dekadë më herët. 

Ksamili në anën tjetër, me mbeturinat që vlojnë te rruga e parë pas atyre plazheve tashmë komerciale, u bë cak i të gjithëve, meqë u dukej shumë interesant njerëzve të shihnin tre ujdhesa të vogla para syve. Banorët e Ksamilit, i bënë llogaritë e veta, dhe tash duhet të paguash 20 euro për një shezllon, të paktën. 

6. Po është shtrenjtë dhe nuk ofron 

Bregdeti që mbanë erë mbeturinash, pa plan urbanistik, pa traditë turistike, pa sjellje normale të shumicës së shërbyesve të gastronomisë, pa siguri adekuate, me bllokada orëshe në komunikacion, me kosto të tepruar të rrugës, pa aparat shteti që inspekton vjedhacakët nëpër markete, hotele e plazhe, ka kosto më të lartë tashmë se të pushosh në Greqi, dhe kjo ndonëse duket e pa besueshme, sepse tingëllon absurde, mjafton të shihni ofertat turistike, dhe nëse i doni ato komoditete në Shqipëri, Shqipëria ju del më shtrenjtë, sepse ju akoma e përballoni, dhe tregu ka ligjet e veta. 

7. Unë si “anti” Shqipëri tash 

Po të ishin thënë këto më herët e më shpesh, sigurisht që bregdeti shqiptar, por edhe fenomentet tjera, do ishin bërë pikënisje për trajtim të shoqërisë shqiptare. Dhe sigurisht, bregdeti i Shqipërisë do ishte më i zhvilluar, më i rregullt. Por ideja primitive nacionaliste, dhe mendësia “djalli im më i mirë se engjëlli i huaj”, kanë bërë që të jemi kështu si jemi, dhe të vajtojmë e mallkojmë çdo vjet, si u “plaçkitëm” në Shqipëri. Gjërat janë siç janë, dhe nuk janë mirë, ato duhen thënë siç janë, sepse nuk shërohet pacienti pa konstatim të sëmundjes. 

Tash që kemi liberalizimin e vizave, sigurisht që kjo do të ketë ndikim, për mendimin tim pozitiv, në zhvillimin e turizmit të Shqipërisë. Pa konkurrencë e krahasim, pa treg të lirë, nuk zhvillohet asnjë gjë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco