Fushata e sponsorizuar për ta paraqitur Donald Trump si ‘gogol’ për Kosovën!

Fushata e sponsorizuar për ta paraqitur Donald Trump si ‘gogol’ për Kosovën!

Nga Enver Bytyçi - 11/07/2024

Prej javësh e muajsh po bëhet një fushatë e paparë ndonjëherë, e cila e paraqet Donald Trump si gogolin e Kosovës. “Katastrofë për Kosovën, nëse Trump vjen në Shtëpinë e Bardhë”! “Vuçiq pret ardhjen e Trump për ta realizuar projektin e Serbisë në Kosovë e në Ballkan”! Lexojmë çdo ditë lajme, sikur Donald Trump do ta gëlltisë Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi e me radhë.

Unë u përkas atyre njerëzve që asnjëherë nuk janë pajtuar me politikat e Donald Trump e sidomos të dërguarit të tij në Ballkan, Grennell, si dhe me skenarët e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe konflikteve të tjera në Ballkan përmes ndryshimit të kufijve. Por ta paraqesësh zotin Trump si “kasap”, që “pret me shpatë” dhe “vendos si Zeus” për fatin e popujve dhe të kombeve, kjo është shumë e tepruar. Aq shumë është tepruar me “rrezikun Trump”, sa të krijohet përshtypja se gjithçka po bëhet për ta “trembur” qeverinë e Kosovës, institucionet e saj, presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. E nëse këta tremben, atëherë do të pranojnë para janarit të vitit të ardhshëm krijimin e  asociacionit, akoma pa njohjen de facto e de jure të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Një skenar i tillë është shumë i mundshëm, nëse kemi parasysh se kësaj teme i mëshojnë më së shumti mediet e Sorosit në SHBA, ato të Edi Ramës në Shqipëri dhe të Hashim Thaçit në Kosovë. Këta aktorë që përmenda janë më shumë sesa Trump për ta ndarë Kosovën e për ta bërë atë peshqesh për Serbinë. Këta janë ata që kanë interes të jashtëzakonshëm të pranohet asociacioni serb në Kosovë, mundësisht sipas apetiteve të Beogradit. Dhe janë të interesuar për dy arsye: Së pari, sepse ata ishin autorë të marrëveshjeve të tilla dhe, së dyti, sepse, nëse Albin Kurti e pranon asociacionin e nënshkruar nga Thaçi e Mustafa, atëherë këta të fundit do të rehabilitohen në opinionin publik.

Po cila është e vërteta? Donald Trump i mblodhi më 4 shtator 2020 palën serbe e të Kosovës në zyrën ovale të tij dhe imponoi një marrëveshje, të cilën tashmë e njohim. Nuk mundi të imponojë ndarjen e Kosovës, sepse kryeministri Abdullah Hoti nuk ishte dakord. Nuk mundi madje t’ia imponojë presidentit të Serbisë nenin për njohjen e Kosovës pas një viti. Vuçiq e quajti “provokacia” atë nen. I dolën djersë dhe lagu dy shami. Por nuk e pranoi nenin Trump. Kjo do të thotë se presidenti i atëhershëm amerikan nuk qe aq i fuqishëm sa t’i imponohej Abdullah Kurtit të urtë e as Aleksandër Vuçiq dinak.

E përmenda këtë fakt, për të thënë se asgjë nuk mund të imponojë askush në marrëveshje që nënshkruhen nga të tjerë. Janë ata që firmosin, aktorët që vendosin. Pra janë liderët e Kosovës ata që në fund të fundit mund të nënshkruajnë ose jo marrëveshje të dëmshme apo të dobishme për Kosovën. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë betuar për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të territorit të Kosovës. Këta dy liderët të sotëm të Kosovës janë garancia se nuk ndodh asgjë, nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Madje edhe nëse Richard Grennell bëhet sekretar i Departamentit të Shtetit. Askush nuk mund ta imponojë vullnetin e tij në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Kjo është kryesorja. Fati i dialogut ndodh në Kosovë, jo në ndonjë vend tjetër. Është tjetër punë, nëse Fuqitë e Mëdha vendosin. Por as kjo nuk mund të ndodhë.

Megjithatë dikush llogaritë në ndryshimet politike e rikthimin e sejmenëve të Hashim Thaçit e të Edi Ramës në krye të shtetit të Kosovës. Rama punon fort për këtë qëllim, por unë parashikoj se Edin nuk e ze pranvera. E kam fjalën si kryeministër të Shqipërisë. Hashimi mund të luajë rol nga Haga, por sërishmi do të ketë mundësi të kufizuara. Thjesht do të ketë entuziazëm te spiunët shqiptarë të Serbisë. Ata do të këndellen. Do të thonë: “A ju kemi paralajmëruar?! Tani “nuk keni nga ia mbani”! Edhe sot ata dalin në ekrane e thonë “Ta shohim prej së hënës që vjen a shkon ma Albini në veri të Kosovës”! Kanë kaluar dyqind të hëna dhe sot shqiptarët bëjnë plazh në liqenin e Ujmanit.

Këta janë ajo kategoria që bëjnë panik sot edhe me “rrezikun e Trump” për Kosovën, nëse ai kthehet si president i SHBA-ve. Në fakt mund të jetë e kundërta. Pse mos të mendojmë se nëse Trump vërtet “i jep fund luftës në Ukrainë”, kjo do të thotë se ai do ishte dakord që Krimenë dhe Donesk t’ia jepte Rusisë”! Kësisoj do të përfitonte pajtimin e Kremlinit me pavarësinë e Kosovës. Sepse nuk mund të japësh diçka, pa marrë diçka tjetër. Gjithmonë hamendësoj për këtë, sepse asgjë nuk dihet. Nuk dihet ende nëse Trump i fiton zgjedhjet e nëntorit në SHBA. Nuk dihet gjithashtu se cila do të jetë formula e zgjidhjes së konflikteve nga ana e tij!

Megjithatë kaq zi e katran, sa e bëjnë Soros e shërbëtorët e tij, nuk do të jetë!...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco