Gjermania në kontakt me Kosovën për skanerët: Do të sigurohen në përputhje me procedurat e prokurimit publik

Gjermania në kontakt me Kosovën për skanerët: Do të sigurohen në përputhje me procedurat e prokurimit publik

11:23, 09/10/2024

Të hënën Ministria e Punëve të Brendshme  ndryshoi masën e sigurisë ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare në Merdar. Kryeministri Kurti tha se ky vendim do të jetë në fuqi derisa të vijën skanerët pa dhënë detaje se kur dhe nga kush do të blihen ata. Nga Ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë  për skanerë. Kurti në qershor të këtij viti, gjatë një vizite në Hamburg pati folur me Sarrazin për sigurimin e skanerëve.

Gazeta Express

Ministria e Punëve të Brendshme të hënën mori vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë përmes Merdarit- nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë. Kështu tha ministri Sveçla.

Ndërkaq në një konferencë për media kryeministri Kurti tha se derisa të vijnë skanerët vetëm Merdari do të jetë i hapur, ndërsa në momentin që vijnë ata do të hapen të gjitha pikat kufitare.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët. Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA’së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.

Në një përgjigje për Gazetën Express zëdhënësi i ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, tha se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë sa u përket skanerëve.

Ai shtoi se skanerët mund të sigurohen vetëm pas vlerësimit të plotë të nevojave dhe në përputhje me procedurat e prokurimit publik

“Ne jemi në kontakt me autoritetet kosovare sa u përket skanerëve. Skanerët mund të sigurohen vetëm pas një vlerësimi të plotë të nevojave dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik”, tha Böttcher.

Në qershor, Kurti ka vizituar portin e Hamburgut ku ka parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X.

Kurti tha se shkoi atje për të mësuar më shumë rreth mundësive që edhe Republika e Kosovës të pajiset me një sistem të këtillë.

Kurti kishte thënë  se po shikojnë mundësitë që qeveria gjermane ta pajisë edhe Kosovën me një skaner të tillë.

“Sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt”. /GazetaExpress/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco