Rritja e pensioneve 20%, opozita: Mashtrim, largim i vëmendjes nga heqja e masës për mallrat serbe

Rritja e pensioneve 20%, opozita: Mashtrim, largim i vëmendjes nga heqja e masës për mallrat serbe

17:33, 07/10/2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me Ministrin e Finacave, Hekuran Murati sot prmes një konference të përbashkët për media njoftuan se të gjitha pensionet e moshës janë rritur për 20 për qind, dhe se kjo rritje do të hyjë në fuqi nga muaji tetor. Ky vendim sipas Kurtit erdhi pasi situata me inflacionin është zbutur dhe se vendit po i rikthehet rritja ekonomike.

Sipas vendimit të sotëm, rritja e pensionit bazik të moshës që aktualisht është 100 euro, tani e tutje do të jetë 120 euro.

Ajo për pensionin Kontributpagues, nga 182 euro do të rritet në 218.40 euro, ndërsa kategoria e dytë nga 198 euro do të jetë 237 euro, ajo e tretë tretë do të bëhet nga tetori në 256.80 euro, ndërsa kategoria e katërt do të shkojë nga 265 euro në 318 euro.

Nga vendimi për rritjen e pensioneve për 20 për qind përfituan 305,016 qytetarë.

Kurti gjithashtu bëri të ditur se nga 1 janari i vitit 2025 do të ketë rritje edhe për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së.

Ai tha se përveç rritjes prej 20 për qind, shtesa do të llogaritet nga muaji janar si 50 për qind për secilin anëtar tjetër dëshmor apo të zhdukur.

Por, sipas opozitës kjo rritje nuk mbulon efektin e rritjes së çmimeve të produkteve bazike.

Madje, pati edhe nga ata që thanë se ky vendim i Qeverisë së Kosovës u bë për të larguar vëmendjen nga vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, e i cili u morr ditën e sotme.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se rritja e pensioneve prej 20 për qind është veçse një mashtrim ndaj qytetarëve, dhe se një vendim i tillë nuk i ndihmon pensionistët.

Sipas tij, ky vendim ka në vete mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës.

Për Avdullah Hotin e LDK-së, kjo rritje e pensioneve nuk është reale. Në një postim të bërë në Facebook, deputeti i LDK-së thotë se kjo rritje nuk e mbulon as zhvlerësimin real për shkak të inflacionit.

Për deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, rritja e pensioneve prej 20 për qind është një tentativë për të blerë vota dhe skemë e korrupsionit publik. Sipas saj, Kurti dhe Murati nëse do të brengoseshin për qytetarët, pensionet dhe pagat do t’i indeksionin për normën e inflacionit që në vitin 2022.

Për Bajramin, rritja e pensioneve nuk është e mjaftueshme, pasi vetëm gjatë këtyre katër viteve të Qeverisë Kurti, norma e inflacionit është 22 për qind.

Ndërsa, për anëtarin e LDK-së, Berat Rukiqi kjo rritje u bë për të tërhequr vëmendjen nga vendimi për ndryshimin e masës për mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë.?

Sipas tij, kjo rritje siç tha ai është simbolike e që s’e mbulon efektin e rritjes së çmimeve.

Në anën tjetër, anëtari i PDK-së, Arben Mustafa ka thënë se është pritur katër vjet dhe Qeveria i ka rritur pensionet vetëm 20 euro, ndërkohë siç thotë ai çmimet e produkteve bazike janë dyfishuar.

Sipas tij, Qeveria Kurti s’ka ndjeshmëri ndaj kushteve në të cilat jetojnë pensionistët, dhe se për të ky vendim ndoshta dhe s’do të merrej.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco