Numri i bizneseve të (ç)regjistruara në Kosovë përplasin në Facebook Ministrin Murati me Mustafën e PDK-së

Numri i bizneseve të (ç)regjistruara në Kosovë përplasin në Facebook Ministrin Murati me Mustafën e PDK-së

21:55, 03/10/2024

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është përplasur me Koordinatorin e Departamentit të Financave në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, lidhur me disa statistika për shuarjen e bizneseve vjetore.

Gjithçka ka filluar pas një postimi të Mustafës në llogarinë e tij në Facebook, ku tha se në vitin e kaluar, Kosova kishte 13 mijë e 302 biznese më pak sesa në vitin 2022.

Mustafa e cilësoi këtë shifër si shqetësuese dhe tha se tregon se Kosova po bëhet çdo ditë e më pak tërheqëse për të bërë biznes.

“Pra, jo që nuk po arrijmë të tërheqim investime të jashtme, por nuk po arrijmë as ti mbajmë bizneset ekzistuese në Kosovë. Rënia e numrit të bizneseve është në të njëjtën linjë me rënien e vazhdueshme të investimeve të sektorit privat dhe përkeqësimin e deficitit tregtar në nivelin më të lartë që kemi pasur ndonjëherë. Kosova nuk mund të vazhdojë me këtë trend degradimi, që po reflektohet në përkeqësimin e standardit të jetesës së çdo qytetari!”, shkroi Mustafa.

Atij i reagoi Ministri Hekuran Murati, i cili e quajti këtë huqje.  Tha se gjatë vitit të kaluar janë shtuar 9 mijë e 807 biznese, e janë shuar 1 mijë e 602.

“I njëjti trend ka vazhduar edhe në vitin 2024, ku për 8 muajt e parë kemi 8,021 ndërmarrje të reja të regjistruara, apo mesatarisht 1 mijë regjistrime të reja në muaj. Kjo na bën të besojmë që deri në fund të vitit do të kemi rreth 12 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara.  Kto janë faktet.  Ndërsa opozita në anën tjetër bën huqjen e radhës duke pretenduar se në vitin 2023 ka pasur rënie të numrit të bizneseve”, shkroi Murati.

Pas këtij postimi, reagoi sërish Mustafa, i cili tha se të dhënat janë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe jo të opozitës.

“Të dhënat për rënien e numrit të bizneseve aktive, për hiq më pak se 13,302 biznese, janë të Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK) dhe jo të opozitës. Sa për sqarim, ASK është institucion që operon nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit”, shkroi Mustafa.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco