Policia shpall tender 90 mijë euro për blerjen e një autoambulance, këto janë kriteret

Policia shpall tender 90 mijë euro për blerjen e një autoambulance, këto janë kriteret

17:43, 30/09/2024

Policia e Kosovës ka shpallë tender në vlerë prej 90 mijë euro për furnizim me një autoambulancë, shkruan Reporteri.net.

Në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik theksohet se kjo ambulancë duhet të jetë e testuar nga autoriteti ndërkombëtar, e aprovuar nga prodhuesi dhe dizajnuesi.

“Ambulanca duhet të projektohet, ndërtohet dhe kompletohet me aksesorë operativë sipas asaj që do të specifikohet këtu. Montimi dhe pajisjet duhet të integrohen në mënyrë të tillë që të mundësojnë funksionimin e automjetit në mënyrë të besueshme dhe të qëndrueshme me qëndrueshmëri dhe duke garantuar siguri dhe rehati për pacientin dhe ekipin.  Dizajni i mjetit dhe pajisjet e specifikuara duhet të lejojnë aksesin për servisimin/zëvendësimin dhe rregullimin e komponentëve/pjesëve dhe aksesorëve, me shqetësim minimal për komponentët dhe sistemet e tjera”, thuhet në dosjen e tenderit.

Aty specifikohet se ofertuesi duhet të sigurojë që të sigurohet përforcim i mjaftueshëm për të mbrojtur komponentët, montimet, tubacionet, instalimet elektrike, etj., të cilat janë të ndjeshme ndaj dëmtimeve/rreziqeve të hasura gjatë operacioneve në rrugë dhe jashtë rrugës të ambulancës.

“Automjetet e kujdesit mjekësor të urgjencës, duke përfshirë automjetin bazë, pajisjet, aksesorët mjekësorë dhe pajisjet elektronike duhet të jenë produkte komerciale standarde krejt të reja, të testuara dhe të certifikuara për të përmbushur ose tejkaluar këto specifikime”, thuhet tutje në dosje.

Afati për përfundimin e kësaj kontrate është 90 ditë. Kompanitë e interesuara kanë afat të dorëzojnë ofertat deri më 22 tetor, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.

“Çmimi i ofertës suaj duhet të përfshijë të gjitha taksat, ngarkesat dhe obligimet e tjera të paguara në Kosovë”, theksohet në dosje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco