Lajçak propozoi masat ndëshkuese, Kosova në pritje të një ndërmjetësuesi të 'paanshëm' në dialog

Lajçak propozoi masat ndëshkuese, Kosova në pritje të një ndërmjetësuesi të 'paanshëm' në dialog

14:49, 30/09/2024

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës po vazhdojnë të jenë në fuqi që nga viti 2023.

Pavarësisht thirrjeve që këto masa të largohen, të njëjtat nuk janë larguar ende.

E së fundmi është shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ajo e cila ka deklaruar se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të largohen sa më parë, pasi si të tilla kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta.

Ajo tha se pret që pas vendosjes së strukturave të reja të BE-së, pas zgjedhjeve të fundit atje, të ketë vendimmarrje pozitive për largimin e masave, si dhe të ndryshojë qasja, siç e quan ajo diskriminuese ndaj Kosovës.

“Deri tani masat ndaj Kosovës kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta…Kosova është ende nën masa për arsye të zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë me shkuarjen e kryetarëve të zgjedhur në mënyrë legjitime në komunat veriore, ndërsa Serbia nuk është ndër masa dhe s’ka pasuar pasoja nga mbështetja e një sulmi terrorist në Kosovë dhe cenimi i sovranitetit tonë. Është dashur sa më parë që këto të hiqen, natyrisht duke marrë parasysh veprimet dhe gatishmërinë e institucioneve tona për të qenë në përputhje dhe bashkërendim me politikën e jashtme të BE-së…Ne shpresojmë që të ketë qasje krejtësisht tjetër, e kemi pa të gabuar dhe diskriminuese qasjen ndaj Kosovës dhe në veçanti propozimin e ndërmjetësit Lajçak për t’i vënë masa Kosovës”, theksoi Kusari-Lila.

Kujtojmë që BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veri.

Kosova, në vazhdimësi ka shfaqur pakënaqësitë e saj ndaj BE-së dhe emisarit Miroslav Lajçak, i cili në të shumtën e rasteve ka qenë i njëanshëm duke ia mbajtur krahun Serbisë.

Batusha: Duhet të ritheksojmë që Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, por pala serbe jo

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Agon Batusha.

Ai thotë se ndërmjetësuesi duhet të jetë i paanshëm, mirëpo që kjo nuk ka ndodhur në rastin tonë.

Duke vazhduar deputeti thekson që Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, por pala serbe jo.

“Ndërmjetësuesi duhet të jetë i paanshëm dhe lehtësues i procesit. Kjo nuk ka ndodhur me ndërmjetësuesin aktual jo vetëm në rastin e masave, por edhe në rastet e deklaratave apo qëndrimeve të ndryshme gjatë këtij procesi. Duhet të ritheksojmë që Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruaj marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, por pala serbe jo. Madje e ka mohuar ekzistencën e këtyre marrëveshjeve me letër zyrtare. Dhe cila është “masa” e ndërmarrë ndaj Serbisë”, u shpreh deputeti.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco