Hoti ngre alarmin: Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit e CEFTA dhe t’i vazhdohen sanksionet nga BE-ja

Hoti ngre alarmin: Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit e CEFTA dhe t’i vazhdohen sanksionet nga BE-ja

13:56, 25/09/2024

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se mesazhet shqetësuese për Kosovën nga aleatët kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Franca, duhet ta shqetësojnë secilin qytetar dhe secilin përfaqësues të partive politike, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoti ka ngrituar alarmin se Kosova rrezikon të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, t’i vazhdohen sanksionet nga Bashkimi Evropian e të përjashtohet nga CEFTA.

“1. Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, i cili është mekanizmi formal i përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, për të cilin proces qeveritë e kaluara kanë punuar shumë, me pasoja tepër të mëdha në dinamikën e integrimit evropian dhe pjesëmarrjen në planin e rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kosovës mund t’i vazhdohen sanksionet nga BE-ja, me pasoja prej qindra miliona euro në projekte të energjetikës, ujësjellësit, infrastrukturës etj.
Kosova mund të përjashtohet nga CEFTA, me pasoja të mëdha në importe dhe eksporte të Kosovës, duke rënduar koston e shumë mallrave të konsumit për qytetarë dhe shtrenjtuar eksportet e Kosovës në tregjet rajonale”, shkroi ai.

Ai ka theksuar se të tre këta aleatë kanë hyrë në marrëveshje strategjike me Serbinë, teksa ka shtruar pyetje se si u bë që në fund të qeverisjes 4-vjeçare nga VV-ja dhe Kurti, të ndodhet vendi në këtë situatë.

“Të tre këta aleatë, të cilët garantojnë sovranitetin e Kosovës përmes trupave të tyre në KFOR krahas vendeve të tjera të NATO-s, kanë hyrë në marrëveshje strategjike me Serbinë: SHBA-ja për energjetikë, Gjermania për litium dhe Franca për aeroplanë ushtarak.

Si u bë që në fund të qeverisjes 4-vjeçare të kemi këtë situatë?!

Si u bë që dialogu i nisur për njohje reciproke të përfundojë në dialog për asociacionin?!

Si u bë që kërkesat e krerëve të shteteve aleate drejtuar Kosovës dhe Serbisë për angazhim në dialog për njohje reciproke, të ndryshojnë në kërkesa për themelim urgjent të asociacionit?!

Përgjegjësi për këtë situatë të krijuar dihet. Përgjigjen duhet ta japin qytetarët në procesin demokratik të ardhshëm”, shkroi më tej Hoti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco