Hovenier: Kosova dhe Serbia duhet pa vonesa t’i zbatojnë obligimet e dialogut

Hovenier: Kosova dhe Serbia duhet pa vonesa t’i zbatojnë obligimet e dialogut

10:27, 25/09/2024

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë që Kosova dhe Serbia duhet të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha obligimet e marra në dialog.

Në fjalën e tij hyrëse në Samitin e Kosovës për Paqe e Demokraci, Hovenier ka deklaruar se mesazhi i shtetit të tij është i qartë dhe i pa ndryshuar, sa i përket raportit Kosovë-Serbi.

“Mesazhi ynë është i qartë se duhet angazhim për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë. Ky mbetet synimi i qartë i SHBA-së…Presim të dy qeveritë të veprojnë në përputhje me të gjitha obligimet e marra në dialog. Presim të marrin dialogun seriozisht. Një nga gjërat që më befason është ky supozim nga akterë të ndryshëm në Kosovë se ka rrugë tjetër pos dialogut. Sugjerimi se nëse amerikanët, gjermanët, zgjedhin të favorizojnë atëherë bëjnë me gishta apo shkop magjik e largohen problemet. Bota nuk punon ashtu”, tha Hovenier.

Madje, Hovenier ka potencuar që po të ishte në dorë të ShBA-së, Kosova tashmë do të ishte anëtare në organizatat euroatlantike, ndërsa Serbia do të ishte më afër pranimit të realitetit.

Ndër të tjerash, ambasadori amerikan ka ritheksuar që ShBA-ja do ta mbështesë Kosovën në rrugën euroatlantike.

“Por, nuk e shoh se si mund të bëhesh anëtare e BE-së pa bashkërendim me BE-në, apo si bëhesh anëtare e NATO-s pa pëlqimin apo bashkërendimin me gjithë anëtarët e NATO-s. E dini se disa shtete të NATO-s ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e një Kosove sovrane, demokratike, multietnike në mënyrën siç kemi bërë ne. Çfarë dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë për këtë”, ka thënë Hovenier.

Tutje, Hovenier ka vlerësuar që duhet të ketë përkushtim të ri në dialog, përfshirë ndërkombëtarët, Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë.

Njëherit, ai ka deklaruar se ShBA-ja dëshiron të shohë këtë, por pa kompromentuar themelet e Kosovës.

“Duhet përkushtim i ri në dialog nga të gjithë, ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë. Ajo që na duhet është serioziteti dhe qëllimi në dialog. Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët. Negociuesit më të suksesshëm gjithmonë mendojnë për situatë ‘fitim-fitim’. Mendojnë si të marrin diçka, por edhe kolegu i tyre të marrë diçka që të jetë i kënaqur. Është proces. SHBA-ja dëshiron të shohë këtë por pa kompromentuar themelet e Kosovës. S’do të ishte asnjë fitore çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial apo demokracinë e Kosovës. Por, nuk është edhe fitore kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat”, tha Hovenier.

Përveç Hovenier, edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco