“Po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike”, “Hajnat në burg”, reagimet e opozitës pasi u intervistua Dejona Mihali nga Prokurpria Speciale

“Po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike”, “Hajnat në burg”, reagimet e opozitës pasi u intervistua Dejona Mihali nga Prokurpria Speciale

10:25, 21/09/2024

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, është intervistuar dje nga Prokuroria Speciale. Siç u raportua dje gjatë ditës, Mihali ndër të tjera, është intervistuar në lidhje me rastin për dyshimet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku i përfshirë është ish kryeshefi, Nagip Krasniqi.

Duke dalë nga Prokuroria, Mihali foli shkurt para mediave. “Kam ardhur për të ndihmuar prokurorin në zbardhjen e së vërtetës”, iu tha shkurt ajo.

Prokuroria Speciale gjatë ditës ka thënë se ajo është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitares për disa çështje, por nuk ka bërë të ditur më shumë detaje, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Prokuroria Speciale informon se, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim”, ka thënë PSRK.

Për intervistimin e Mihalit nga Prokuroria Speciale ka reaguar opozita duke e lidh intervistimin e saj me “mafinë energjetike”.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se mafisë energjetike në Kosovë po i ngushtohet rrethi.

Ai këtë reagim e ka bërë pas raportimeve se Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, po intervistohet në Prokurorinë Speciale në lidhje me rastin për dyshimet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku i përfshirë është ish kryeshefi, Nagip Krasniqi.

Haradinaj ka thënë se veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë.

“Po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike. Veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë. Mafia Energjetike duhet të përballet me ligjin. Shteti ligjor dhe demokracia nuk dorëzohen para strukturave të dyshimta kriminale. Po i ngushtohet rrethi”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pasi dje Koordinatorja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, është intervistuar nga Prokuroria Speciale.

“Krimi ka emër”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka quajtur atë si “mashë” të kryeministrit Albin Kurti për atë që ai e quan “korrupsion masiv për 1 mijë kontratat e nënshkruara, përfshirë ato në KEK”.

Sipas Selmanajt, s’duhet habitur kur të ftohet edhe kryeministri Albin Kurti nga Prokuroria Speciale, meqë sipas deputetit opozitar, hetimet do ta implikojnë edhe kreun e Qeverisë.

“Kam thënë me kohë, që krimi dhe korrupsioni në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje është i strukturuar. Nuk vidhet dhe nuk abuzohet me paranë publike pa dijeninë e Albin Kurtit. Dejona Mihali është njëra nga “mashat” e Albinit, për korrupsionin masiv tek 1 mijë kontratat sekrete tek të gjitha ministritë, duke përfshirë edhe KEK-un. Mos u befasoni kur të ftohet për intervistim edhe Albini në Prokurorinë Speciale, sepse jam i bindur që zhvillimi i hetimeve detyrimisht do ta implikojnë edhe ate!”, ka shkruar Selmanaj.

Ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Ardian Kastati, i cili vlerëson se intervistimi i Dejona Mihalit nga Prokuroria Speciale e Kosovës e ka frikësuar edhe kryeministrin Albin Kurti.

Ai në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Kurti është koka e Mihajli janë këmbët e pushtetit të hajnave.

“Dikush që ka qenë me Albin Kurtin sot po më tregon që Kurti ja ka nis me pi raki prej sabahit nga sikleti. Prokuroria ja ka pre këmbët sot, se ky është koka e Mihajli këmbët e pushtetit të hajnave! Po më thonë që në shtabin e VV-së ka ra zymtia e madhe kështu që me hjek vëmendjen nga Mihajli këto ditë kanë me prodhu ndonjë temë në Veri (dhe jo vetëm)! FLLAD, FLLAD me axhin! HAJNAT N” BURG, apo?”, ka shkruar Kastrati.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco