AAK mban mbledhjen e kryesisë, Haradinaj: Fryma e fitores po ndihet gjithandej, veçanërisht mbështetja nga Diaspora

AAK mban mbledhjen e kryesisë, Haradinaj: Fryma e fitores po ndihet gjithandej, veçanërisht mbështetja nga Diaspora

19:42, 20/09/2024

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se me partnerët e koalicionit po punojnë që më 9 shkurt të ndodh ndryshimi që i duhet vendit për të ecur përpara.

Kështu ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së kryesisë së AAK-së e mbajtur sot. 

“Në Kryesinë e Aleancës, zhvilluam një diskutim thelbësor mbi çështjet që kanë të bëjnë me agjendën zgjedhore, listën garuese në zgjedhje dhe për aktualitetet politike në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kalon në një moment të rëndësishëm pozitiv mobilizimi të jashtëzakonshëm nga strukturat. Fryma e fitores po ndihet gjithandej, veçanërisht mbështetja e jashtëzakonshme nga Diaspora, që do të jete krah i fortë i koalicionit tonë”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka shtuar se gjatë diskutimeve në kryesi, janë konfirmuar disa prej kandidaturave për deputetë. 

“Jemi në finalizim të programit zgjedhor, i cili do të bëhet publik javën e ardhshme. Ky program përfshin prioritete të qarta dhe planifikime të hollësishme, për ta bërë më cilësore jetën e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe Kosovën më të sigurt. Gjatë diskutimit, u konfirmuan disa prej kandidaturave për deputetë. Këto zgjedhje janë bërë me kujdes dhe bazuar në aftësitë dhe përvojën e kandidatëve për të përmbushur rolet e tyre në Kuvend”, është shprehur Haradinaj. 

Ai ka shtuar se po punojnë që më 9 shkurt të ndodh ndryshimi që i duhet vendit. 

“Aleanca bashkë me partnerët në koalicion: Nismën Socialdemokrate, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, po punojnë që më 9 shkurt të ndodh ndryshimi që i duhet vendit për të ecur përpara”, ka përfunduar Haradinaj.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco