51 prona të paluajtshme ipen për 99 vjet në Drenas, opozita proteston

51 prona të paluajtshme ipen për 99 vjet në Drenas, opozita proteston

19:25, 19/09/2024

Aktivistë e opozitarë u mblodhën në oborrin e komunës së Drenasit.

Ata ndërmorën këtë aksion, si kundërshtim ndaj vendimit që po pritej të miratohej të enjten.

Për të ruajtur rendin, ishte dhe Policia e Kosovës.

Ndërkohë brenda po pritet miratimi i dhënies së 54 pronave të paluajtshme personave fizik/juridik për 99 vite.

“Dhënia në shfrytëzim për 99 vite nuk i kontribuon aspak zhvillimit ekonomik, por vetëm i ndihmon kryetarit Lladrovci që të shpaguajë borxhet e fushatave apo edhe të krijojë klientelë të re para zgjedhjeve lokale të vitit 2025”, tha Egzona Tërdevci nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ndërtimet e larta siç pretendohet të jepen këto parcela nuk kanë të bëjnë aspak me zhvillimin ekonomik të qytetit”, u shpreh Arbër Halilaj, asamblist nga Iniciativa qytetare ‘’GREEN PËR DRENASIN’’

“Drenasi nuk ka bibliotekë sot, nuk ka muze sot, nuk ka sallë të kulturës. Këtë sallë të kulturës që e kemi – edhe këtë po tenton ta shkatërrojë”, tha Artian Krasniqi nga Demokratët për Drenasin.

E aksionin opozita e vazhdoi edhe brenda në kuvendin komunal.

E me të ardhur kryetar i komunës Ramiz Lladrovci, ai nuk hezitoi të bëjë shaka me posterët e vendosur.

“Jo prej salle unë i thirri qetash këtu Policinë, se ju s’keni të drejtë me ardhë me bo propagandë këtu. Thirre rojën, i qet përjashta”, tha Lladrovci.

Tutje, kryetari shtyri seancën deri në një tjetër moment.

E pasi dolën nga seanca, aktivisti Krasniqi njoftoi se xhami i veturës së tij është thyer.

Ndërkaq pas disa minutave filloi edhe seanca e jashtëzakonshme e kuvendit komunal të Drenasit.

Ndërsa një ndër pikat e rendit të ditës ishte dhënia e 54 pronave publike për 99 vjet.

Nga opozita u kërkua që nga kjo listë të hiqeshin tri parcela, pra objekti i vjetër i komunës, të çerdhes së vetme publike në Drenas dhe parcela 743-30 ku është bërë shpronësimi i disa shtëpive.

E pasi të pranishmit në sallë u pajtuan për këtë, me 17 vota për, 12 kundër dhe një abstenim u miratua vendimi për dhënien e 51 pronave për 99 vjet.

E për këtë votim, reagoi Lëvizja Vetëvendosje.

“Në Drenas, veç shitjes dhe blerjes së pronave, shiten dhe blihen dhe asamblistë”, tha ajo.

E kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tregon arsyen e heqjes së këtyre tri pronave.

“Nuk jam personi që nguli këmbë ose edhe kjo pronë ose asnjë pronë sepse unë e du zhvillimin e komunës tem”, tha ai.

Seanca e Kuvendit Komunal vazhdoi rrjedhën në pikat tjera të rendit të ditës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco