Bislimi i reagon Brukselit që mirëpriti thirrjen e Vuçiq për kthimin e serbëve në institucione

Bislimi i reagon Brukselit që mirëpriti thirrjen e Vuçiq për kthimin e serbëve në institucione

18:26, 17/09/2024

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, është deklaruar para gazetarëve pas takimeve bilaterale në Bruksel.

Ai tregoi pse atje nuk u mbajt një takim trilateral, pra Bislimi-Lajçak-Petkoviq.

“Edhe për ne është pak mister për arsye se ftesa ka qenë shumë e qartë e zotit Lajçak që do të ketë së pari të ketë takim bilateral dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral, pastaj është thënë që në takimin trilateral do të diskutohet rruga përpara në marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera në qoftë se ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë, e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral, por si duket Serbia pastaj ka refuzuar të hyjë me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik, çka ne nuk kemi qenë dakord. Mirëpo ftesa thotë qartë se temat e tjera mund të futen vetëm me dakordimin e palëve, e rrjedhimisht trilateral nuk ka mundur të kushtëzohet me pranimin ose jo të propozimeve të palës tjetër.”

Ai vazhdoi duke thënë se  “kushtëzimi i agjendës siç duket ka qenë pse Serbia  nuk ka pranuar të hyjë në takim”.

“Ne kemi kërkuar edhe sot nga zoti Lajçak që të demantojë raportimet që të dyja palët nuk kanë qenë të gatshme për takim trilateral për arsye se ne në plotni e kemi ndjekë ftesën e zotit Lajçakut. Ka qenë Serbia që nuk ka pranuar të hyjë, për aq kohë sa nuk janë pranuar propozimet e saj me temat që sot kanë të bëjnë me konsum politik në Serbi”.

Bislimi bëri të ditur për temat që janë diskutuar në takimin me emisarin e BE’së, Miroslav Lajçak.

“Sot kemi pasur një sërë temash, por natyrisht se tema kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit në Ohër, pastaj kemi prekur edhe atë se ku kemi mbërri me marrëveshje tjera dhe ku kemi pasur probleme, psh një prej temave që kemi diskutuar jashtë kësaj ka qenë edhe tema e telekomunikacionit për arsye se kohë më parë ne e kemi njoftu Brukselin për shkeljet që po i bën Serbia të marrëveshjes duke interferuar me frekuenca brenda territorit, por edhe problemet që po has rregullatori ynë me ITU që nuk po e zbaton marrëveshjen ashtu sic ka qenë e dakorduar në Bruksel. Pastaj edhe për temën që në një të ardhme të bisedohet për shërbimet postare. Zoti Lajçak kishte ftuar ekspertë të komisionit që na treguan direktivat e Komisionit Evropian dhe këto ishin për ne jashtëzakonisht të vlefshme. Nga këto prezantime ne e pamë të qartë se në fakt, sipas interpretimit të tyre, Kosova është në plotni në rrafshin e shërbimeve postare, në harmoni me direktivat e BE-së, përderisa Serbia është vetëm parcialisht. Askund në BE nuk tolerohen veprime apo operime ilegale të kompanive që bëjnë shërbime postare dhe rrjedhimisht ka qenë shumë e denjë nga ana jonë që të mbyllet e njëjta”.

Ai u pyet edhe për deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për “masat”. Ai tha se është brengosëse për të se deklaratat e Vuçiqit nuk kanë hasur në reagim të ashpër nga Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian.

“Fillimisht takimi i sotëm është ftuar para deklarimit të zotit Vuçiq. Zoti Vuçiq është shumë gjeneroz me deklarata, pothuajse cdo ditë e gjen nëpër televizione. Ajo që për mua ka qenë brengosëse, jo përmbajtja, raportimi apo konstatimet, por fakti që këto konstatime të tij nuk kanë hasur në brengë apo reagim të ashpër nga Komisioni Evropian apo nga Bashkimi Evropian, por ajo që është zgjedhur është që nga një fjalim 40 apo 50 minutësh të zgjidhen dy minuta që mund të interpretohen pozitivisht dhe i gjithë reagimi është marrë me ato dy minuta e jo me përmbajtjen shumë të rrezikshme të këtij adresimi. Për mua është e pakapshme që Bashkimi Evropian nuk e sheh si brengosëse që të gjitha konstatimet kanë si pikënisje në narrativë artificiale dhe të pavërtetë mbi zhvillimet në Kosovë. Për informimin tuaj, edhe Marrëveshja për MTS’in dhe ajo për Elektroseverin e ka shumë të qartë të stipuluar që gjithçka zhvillohet në bazë të kornizës ligjore të Kosovës. Dmth zoti Vuçiq me këto marrëveshje e ka pranuar që nga Merdarja e këtej është një zonë ku ka një kornizë tjetër ligjore, ku ka zero ingjerenca të Serbisë dhe pastaj gjithçka që ndodh brenda kësaj zone bëhet sipas kornizave ligjore të Republikës së Kosovës. Kurse pastaj thotë le të kthehen policët, le të kthehen gjykatësit, që në fakt është një ftesë për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën t’i korrigjojnë dështimet e tij politike. Mendoj se kjo është arsyeja me të cilat është dashur të merret BE-ja dhe jo me ftesën e tij që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Ai këtë ftesë e ka bërë edhe para zgjedhjeve të prillit, por e dimë se si ka përfunduar zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në Veri”, ka thënë Bislimi.

Bislimi tha se deri në përfundim të mandatit të Lajçakut pret ftesë për takim të kryenegociatorëve por jo të liderëve.

“Zoti Lajçak ka mandat deri në fund të janarit dhe unë besoj që ai do të përpiqet që ta shfyrtëzojë këtë periudhë për të raportuar ndonjë zhvillim apo ndonjë sukses, kështu besoj që gjatë tetorit do të ketë ftesë për kryenegociatorët. Ajo që unë nuk besoj që mund do të ketë është ftesë të liderëve për takim. Duhet të pritet kryesuesja e re e EEAS’it për të parë se cilat janë pritjet e saj nga procesi dhe pastaj të vazhdojmë tutje”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco