Bislimi përfundon takimin me Lajçak, nuk dihet nëse do ketë takim trepalësh

Bislimi përfundon takimin me Lajçak, nuk dihet nëse do ketë takim trepalësh

14:31, 17/09/2024

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar takime të ndara me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, teksa ende nuk ka konfirmim nëse do të ketë takim trepalësh.

Siç raporton RTK një zyrtar evropian i informuar lidhur me takimet ne fjalë ka thënë se është vështirë të parashihet nëse do të ketë takim të përbashkët dhe se gjithçka do të varet nga atmosfera që do të dominojë gjatë bisedave të ndara.

Kreu i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, ka përfunduar tashmë takimin e ndarë më Lajçakun i cili kishte filluar në orën 9 dhe ka zgjatur gati 2 orë.

Një takim të ngjashëm, me pas e ka zhvilluar edhe homologu i Bislimit nga Beogradi, Petar Petkoviq, kryenegociatori serb.

Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në raundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Paqartësitë lidhur me mbajtjen e takimit të përbashkët nisën qysh të premten që shkoi, kur kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi nëpërmjet rrjeteve sociale konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për mbajtjen e takimit trepalësh, por se Serbia e ka refuzuar agjendën e ndërmjetësit.

Se kishte keqkuptime rreth agjendës, këtë e kanë konfirmuar disa burime në Bashkimin Evropian. Por këta zyrtarë shpjeguan se të dyja palët janë përgjegjëse për dështimin eventual të mbajtjes së takimit trepalësh. Gjithnjë sipas këtyre burimeve të dyja palët u përpoqën të diktojnë agjendën e takimit trepalësh dhe nuk u dakorduan me kërkesat e ndërsjella, teksa kanë injoruar propozimin origjinal të palës evropiane.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco