Kusari-Lila për 9 shkurtin: Pa problem mundet me u përsërit rezultati i vitit 2021, mund edhe të shtohet

Kusari-Lila për 9 shkurtin: Pa problem mundet me u përsërit rezultati i vitit 2021, mund edhe të shtohet

20:45, 16/09/2024

Kryetarja e “Alternativës”, njëherit Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari-Lila, ka folur për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rezultatin që presin.

Kusari-Lila është shprehur e bindur se pa problem do të përsëritet rezultati i vitit 2021, madje ka thënë se edhe mund të rritet përqindja.

“Si grup, si listë e përbashkët, unë mendoj që pa problem mundet me u përsërit rezultati i vitit 2021. Edhe mundet me u shtu, duke i marrë parasysh disa elemente, si votimi jashtë vendit, pjesëmarrja e diasporës, mundësia e dërgimit me postë të fletëvotimeve në ambasada dhe konsullata kudo që ato i kemi. Besoj që shancat me pas një përqindje më të lartë të numërimit të votave të diasporës, përfshirë edhe votave brenda Kosovës do të jenë të mëdha dhe rrjedhimisht edhe do të përkthehen në rezultat pozitiv”, ka deklaruar Kusari.Lila në DPT te Fidani.

 

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje i ka lënë jashtë koalicionit zyrtar dy partnerët e saj partinë Guxo dhe Alternativa. LVV kishte njoftuar se nuk kanë mundur që procedojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve koalicionin për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare.

Përkundër kësaj, LVV kishte lënë të nënkuptohet se ata do të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore.

“Duke u bazuar në partneritetin e mirë dhe të shëndoshë në mes partnerëve të koalicionit, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Partisë Guxo dhe Partisë Alternativa, njoftojmë opinionin e gjerë, anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë se koalicioni ynë formal i dëshiruar nga të tri partitë tona, nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare. Ne jemi duke punuar intensivisht në hartimin e programit, me të cilin do të shpalosim së bashku ofertën tonë për qytetarët në zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosje ka dalë 49.95 përqind, PDK 16.9 përqind, LDK 12.64, AAK, 7.07, Lista Serbe 5.06, Nisma 2.5.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco