Kurti për vizitat në veri: Nuk janë kundër askujt, janë të domosdoshme

Kurti për vizitat në veri: Nuk janë kundër askujt, janë të domosdoshme

12:03, 11/09/2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka folur rreth vizitës së djeshme në veri të vendit.

Kurti ka theksuar se këto vizita nuk janë të destinuara kundër askujt, por janë pjesë e përpjekjeve për t’i adresuar nevojat e komuniteteve të lëna pas dore.

Gjatë së martës, Kurti shoqëruar nga ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, vizituan Komunën e Leposaviqit, përfshirë fshatrat Bistricë, Rajë dhe Leshak, si dhe Mitrovicën Veriore.

“Dje bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi ishim në një vizitë në komunën e Leposaviqit në fshatrat Bistricë, Rajë dhe Leshak e më pas edhe në Mitrovicën Veriore. Vizita tona në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë pasi t’i kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj”, ka deklaruar Kurti.

Kurti theksoi se këto vizita janë të rëndësishme për t’i kuptuar nevojat dhe sfidat e këtyre komunave, duke hedhur poshtë çdo paragjykim dhe duke u angazhuar për përmirësimin e kushteve të jetesës.

“Në këto komuna po bëhen investime që nuk janë bërë që dy dekada, po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu komentoi mbylljen e komunave paralele në veri që u realizua muajin e kaluar. Ai shpjegoi se këto veprime ishin të nevojshme për të luftuar aktivitetet ilegale dhe për të mundësuar ofrimin e shërbimeve të ligjshme

“Në fund të muajit të kaluar pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara se në komunat veriore po funksionojnë komunat paralele të Serbisë në hapësira të uzurpuara dhe po zhvillojnë veprimtari ilegale institucionet tona të sigurisë kishin ndërmarrë veprime ligjore për mbylljen e tyre. Kjo ka mundësuar që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme”, ka thënë Kurti.

“Qeveria jonë nuk po mbyll zyre përkundrazi po i hap ato. Kush është për mbyllje e kufizim e pamë edhe njëherë në fund të javës së shkuar. Grupe personash të maskuar në prani të policisë së Serbisë në kufi me Kosovën në territorin e Serbisë bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtar për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike. Institucionet tona kanë punuar që planet e tyre të dështojnë siç edhe ndodhi”, ka shtuar Kurti.

“Me këtë rast dua të shpreh falënderim për zyrtarët policorë dhe agjentët tanë që përkujdesen që publiku dhe qytetarët të shohin dhe të përjetojnë vetëm rezultate pozitive përkundër paneleve të këqija që synohen por nuk realizohen dhe nuk merren vesh asnjëherë”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco