​Nderohen viktimat e sulmit të 11 shtatorit, Kurti: Terrorizmi duhet të luftohet nga të gjithë

​Nderohen viktimat e sulmit të 11 shtatorit, Kurti: Terrorizmi duhet të luftohet nga të gjithë

10:35, 11/09/2024

Në 23 vjetorin e sulmit të 11 shtatorit në ShBA, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për luftimin e terrorizmit.

Ai këto komente i bëri pas homazheve pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë i cili u shoqërua nga e ngarkuara me punë në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati dhe nga ministrat.

Teksa sulmin e 11 shtatorit e cilësoi si mizor dhe kundër SHBA-ve, Kurti u shpreh se terrorizmi duhet të luftohet nga të gjithë.

“Kujtimi ynë shkon për viktimat. Solidariteti ynë për familjet që i kanë humbur më të dashuritë e tyre dhe gjithashtu bashkëpunimi ynë me qeveritë demokratike anë e mbanë botës të prira nga ShBA-të në luftë kundër terrorizmit….Shënuan një datë e cila sot paraqet edhe një epokë të re që prej atëherë sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri e secilit aktorë e faktor e politikan e do të thosha edhe secilit qytetarë liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejta të njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie”, theksoi ai.

Derisa kujtoi edhe tre viktimat shqiptare që humbën jetën në sulmin e 11 shtatorit, kryeministri, Albin Kurti theksoi partneritetin dhe aleancën e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës veçanërisht në luftimin e terrorizmit.

Kurti: Theksojmë partneritetin me SHBA veçanërisht në luftën kundër terrorizmit

“Kosova qëndron pranë SHBA në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin e aleancën dhe miqësinë tonë të fuqishëm në çdo aspekt në veçanti në luftë kundër terrorizmit”, deklaroi kryeministri Kurti.

E ngarkuara me punë në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati shprehu mirënjohje ndaj popullit të Kosovës për mbështetje ndaj shtetit amerikan pas sulmit të 11 shtatorit.

Sipas saj sulmi i 11 shtatorit nuk ishte vetëm një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara, por sulm ndaj lirisë dhe demokracisë

Prattipati: Sulmi i 11 shtatorit nuk ishte sulmi vetëm ndaj SHBA, por edhe sulm ndaj lirisë

“Aktet e 11 shtatorit nuk ishin vetëm një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara, por sulm ndaj lirisë dhe demokracisë. Ndërsa kujtojmë jetët e humbura, ne nderojmë gjithashtu guximin dhe qëndrueshmërinë e atyre që na ndihmuan të rikuperohemi nga ajo ditë, zjarrfikësit, reaguesit e parë, ekipet e reagimit ndaj emergjencave, vullnetarët, të gjithë ata që dhanë atë ditë dhe për javë më pas, dhe muaj më pas, për t'u siguruar që ne mund të shërohemi nga ajo ditë tragjike, dhe njerëzit në mbarë botën dhe komunitetet në mbarë botën që treguan mbështetjen e tyre për ne dhe ngjarjet e asaj dite. Sot, ndërsa reflektojmë mbi të kaluarën, ne e shikojmë të ardhmen me shpresë dhe vendosmëri. Ne e dimë se rruga përpara është e mbushur me shpresë dhe ku ne presim me padurim një botë ku mbizotëron paqja dhe siguria”, u shpreh ajo.

Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona, prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.

Komento
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco