Sveçla thotë se Serbia është në panik: “Shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës dhe rajonit po dështon

Sveçla thotë se Serbia është në panik: “Shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës dhe rajonit po dështon

19:53, 07/09/2024

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka akuzuar Serbinë se përmes propagandës e metodave të luftës hibride të kopjuar nga Rusia, po tenton ta destabilizoj situatën në Kosovë.

“Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës duke kombinuar propagandën, operacionet subversive, ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse”, shkroi të shtunën mbrëma Sveçla.

Por sipas ministrit këto metoda të Serbisë po dështojnë.

“Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiq-in, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiq-in, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon”, tha ai.

Sveçla i ka renditur disa pika ku sipas tij Serbia dhe Aleksandër Vuçiq ka dështuar në Kosocvë:

Dështuan në:

Arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri;
Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë;
Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese;
Synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve;
Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës;
Synimet e vazhdueshme për inskenim të incidenteve ndaj serbëve (në jug), për ta fajësuar Kosovën, përmes:

➢ Strukturave të sigurisë së Serbisë;

➢ Shfrytëzimit të individëve me orientim radikal (fetar); dhe

➢ Grupeve kriminale në rajon;

Fushatat e orkestruara për kinse ‘spastrimin etnik’, ‘krizën humanitare’, ‘sulmet ndaj serbëve’, kërcënimin nga ‘sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë’;
Presionet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës pa dallim, me theks të veçantë ndaj qytetarëve serb, përmes represionit të shtetit, strukturave të sigurisë dhe grupeve terroriste/kriminale;
Së fundmi, bllokimi i pikave kufitare përmes grupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste, të sponsorizuara nga shteti.

Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cënohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco