Lajmet e rreme e shpallin të “vdekur”, reagon Kelmendi

Lajmet e rreme e shpallin të “vdekur”, reagon Kelmendi

18:03, 26/08/2024

Gazetari dhe moderatori Adriatik Kelmendi ka reaguar ndaj lajmeve të rreme të ndërlidhura me emrin e tij, të cilat kanë disa ditë që kanë qarkulluar në rrjetin social Facebook.

Në këto lajme të rrejshme shkruhet “I themi lamtumirë” dhe emri i gazetarit Kelmendi.

“Ne i themi lamtumirë Adriatik Kelmendi. E gjithë Kosova është në zi…”, shkruhet në mbishkrimin e lajmit të rrejshëm.

Kelmendi i ka udhëzuar qytetarët që të mos klikojnë në këto lajme.

“LAJME TË RREME! Po detyrohem edhe një herë të sqaroj se të gjitha këto që po i shihni janë lajme të rreme. Mos klikoni në to, mos prekni ndonjë link. Ekspertë të IT-së po më thonë se janë viruse, ose mashtrime të tjera”, tha Kelmendi.

“Unë kurrë nuk i kam bërë këto biseda. As Telegrafi, Kosova Sot e mediat e tjera kurrë nuk kanë botuar artikuj të tillë. Nuk e di se kush po e bën këtë dhe për çfarë motivesh/qëllimesh. Është hera e dytë brenda dy javësh që po lansohen këto gënjeshtra”.

Kelmendi ka thënës e beson që Policia e Kosovës do të duhej të merrej me këto raste, “për shkak se mund të lajthiten qytetarët dhe të dëmtohen”.

Për lajme të ngjashme, të cilat ndërlidhen me emra të gazetarëve, ka reaguar javën e kaluar AGK-ja.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se një sërë foto-montazhesh janë shfaqur sot në rrjetet sociale, në të cilat shihen fytyra e disa prej gazetarëve kosovarë, përcjellur me mesazhe të sajuara, por me logo të vërteta të disa prej medieve kosovare.

“Në to, zakonisht është përdorur rrejshëm logoja e medias së pavarur serbe nga Mitrovica Veriore, Kossev. Ndërkohë, linqet e supozuara të lajmit përfshijnë media si Zëri, Telegrafi, Kosova Sot, dhe të ngjashme”, tha AGK-ja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco