Dëshmitari Zhitia: Nuk kam pasur asnjëherë kontakt me Jakup Krasniqin

Dëshmitari Zhitia: Nuk kam pasur asnjëherë kontakt me Jakup Krasniqin

17:09, 26/08/2024

Dëshmitari Skender Zhitia, gjatë dëshmisë në Hagë ka thanë se asnjëherë nuk ka pasur kontakt me Jakup Krasniqin.

“E saktë, nuk kam pas asnjëherë kontakt”, tha Zhitia duke u përgjigjur në kundërpyetjet e avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra.

Ndërsa për librin e Krasniqit, dëshmitari tha se pasi që ka qenë i botuar, ia ka dhënë vetes të drejtën që t’i referohet por që nuk e di se cila nga pjesët është e ekzagjëruar.

I pyetur nëse e kishte përcjellë dëshminë e Rrustem Mustafës në këtë rast, Zhitia tha se nuk ka pasur mundësi për shkak të disa ngjarjeve familjare, por që i ka parë disa pjesë.

Kur u pyet se a pajtohet me deklaratën e Mustafës se lufta e UÇK-së ka qenë më shumë propagandistike sesa operacionale, dëshmitari tha se nuk ka koment për këtë.

“S’kam koment. S’muj dha mendim për deklarata të personave që kanë përgjegjësi. Nuk kam autoritet për me dhanë mendim për deklarata që ka dhënë Rrustem Mustafa”, tha dëshmitari Zhitia.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Thaçit, Sophie Menegon, dëshmitari tha se Zona Operative e Llapit ka marrë donacione vazhdimisht nga qytetarët, si uniforma e të tjera.

Ai tha se emërimet që ishin bërë në gusht ishin iniciativë e Rrustem Mustafës pa ndonjë urdhër nga lart.

“Ishte ndër zonat e mirëorganizuara dhe me iniciativa të ndryshme që kanë ndihmuar që ajo të organizohet në nivel më të mirë. Ndërsa, sa i përket çështjes tjetër ‘vetëorganizimi’ është çështje që unë nuk mund ta komentoj dhe ta them, por besoj që iniciativat kanë qenë të nisura nga Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa pa marrë ndonjë urdhër më lartë ose ndonjë iniciativë më lartë. Është fjala në raste të veçanta”, tha Zhitia.

Dëshmitari tha se në vizitat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Zonën e Llapit nuk ka qenë pjesëmarrës. Kurse, theksoi se emërimet janë bërë nga Remi.

“Në Zonën Operative të Llapit personat në pozitat e ndryshme komanduese janë emëruar nga komandant Remi më 18 korrik 1998 dhe mund t’i referoheni të dhënave në librin tim”, tha ai

Dëshmitari mohoi se ka qenë pjesë e delegacionit ose procesit në Rambuje, si dhe tha që nuk iu kujtohet se ka diskutuar për këtë çështje me ndonjë prej të intervistuarve në librin e tij.

Pyetje për dëshmitarin nuk pati mbrojtja e Selimit dhe as ajo e Veselit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco