Kritikat se BE-ja ka ndryshuar qëndrim dhe reagimi i Lajçakut për çështjen e Urës së Ibrit

Kritikat se BE-ja ka ndryshuar qëndrim dhe reagimi i Lajçakut për çështjen e Urës së Ibrit

09:19, 15/08/2024

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në negociatat me Serbinë, ka thënë të mërkurën se BE-ja është duke kërcënuar me vendosjen e masave shtesë ndaj Kosovës po qe se zbatohet marrëveshja e ndërmjetësuar nga vetë ajo.

Bislimi ka shkruar se emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur pati diskutuar për temën e urës mbi lumin Ibër, ka thënë që në rast se Kosova nuk preferon që kjo çështje të diskutohet në Bruksel, atëherë rekomandon që të bëhen bisedime të brendshme me serbët lokalë. Ai po ashtu ka thënë se një partner i QUINT-it e pati shtuar kërkesën që të ketë inspektime teknike.

E pas realizimit të dy kërkesave shtesë, Bislimi ka thënë se BE-ja tani po kërcënon me masa ndaj Kosovës nëse e hap urën për qarkullim të veturave.

Mbi këtë çështje ka reaguar edhe vetë emisari Lajçak. Lajçak ka thënë se pretendimet se Bashkimi Evropian është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin për këtë çështje, janë çorientuese, shkruan Reporteri.net.

“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë çorientuese”, ka shkruar ai në platformën “X”.

Lajçak ka thënë se në takimin e ardhshëm në Bruksel, do të diskutohet se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës.

“Imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve të prekur nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve. Qeverisja e mirë kupton ndjeshmërinë e pakicës. Se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”, ka shkruar tutje Lajçak.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar të martën se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë Hovenier në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

E Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka folur mbi këtë çështje.

Kurti tha se Qeveria e tij do të vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë. Ai shtoi se hapja e urës nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës.

Shefi i ekzekutivit shtoi se Kosova është shtet normal dhe se si i tillë duhet t’i ketë edhe urat normale – të hapura.

“Me komandantin e KFOR diskutuam dje edhe për hapjen e Urës Mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, dhe rezultatet të cilat i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria e Kosovës dhe unë si kryeministër, besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të durua për vendin, shoqërinë, qytetarëz dhe komunitetin. Ne do të vazhdojmë konsultime dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal, dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti. The 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco