Caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare, Osmani takon gjatë kësaj jave liderët e partive politike

Caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare, Osmani takon gjatë kësaj jave liderët e partive politike

09:46, 29/07/2024

Gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi ndërmjet presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Takimi pritet të mbahet, më 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa subjektet politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Partitë politike kanë nisur ta konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja për t`u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Burime të Telegrafit nga Presidenca kanë bërë të ditur se në letrën dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

Lidhur me ftesën e presidentes Osmani, një reagim e ka bërë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Cakolli thotë se zgjedhjet e rregullta parlamentare mund të mbahen në periudhën, nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit të vitit 2025.

“Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për ta caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, kishte pohuar ai.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato shpallen, ndërsa lidhur me datën e mundshme, ata do ta japin propozimin në takimin me presidenten, pas vlerësimit të të gjitha rrethanave.

“Është e rëndësishme që për herë të parë në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë një qeveri dhe legjislaturë po e mbyllë një mandat të plotë. Kjo falë mbështetjes plebishitare të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara si dhe qeverisjes së mirë dhe legjislativit të suksesshëm. Sa i përket datës së zgjedhjeve, Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk lënë shumë opcione dhe ato opcione ligjore që ekzistojnë e që janë katër data nuk janë larg njëra tjetrës”, tha Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.

E sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se do të marrin pjesë në takim por sipas saj, kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, tha Çitaku.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë të kuptohet se do të marrë pjesë në takim, por zëdhënësi i partisë ka theksuar se vendimi do të merret të hënën nga strukturat e partisë.

“Po kemi pranuar letren nga Presidentja. Në bazë të kesaj letre presidentja konsultimet do t’i zhvilloje për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do t’i marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë, ka thënë Kushtrim Xhemajli, zedhenës i AAK-së.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco