Britania mbledh sot liderët e Komitetit Politik Evropian, Kosovën e përfaqëson Presidentja Osmani

Britania mbledh sot liderët e Komitetit Politik Evropian, Kosovën e përfaqëson Presidentja Osmani

08:27, 18/07/2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar ku do ta përfaqësojë shtetin në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Presidentja Osmani do t’i bashkohet 46 liderëve të tjerë të shteteve evropiane, institucioneve të BE-së, NATO-s, e organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim të adresimit të çështjeve më urgjente për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve anekënd Evropës.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë “Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja””, thuhej në njoftimin e presidencës.

“Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe Kryeministri Keir Starmer”, thuhej në njoftim.

Gjatë takimeve bilaterale, Osmani do të diskutojë rëndësinë e forcimit të aleancave të Republikës sonë, si dhe thellimit të bashkëpunimit me shtetet partnere me fokus të veçantë në fushën e sigurisë.

Presidentja Osmani kishte përfaqësuar Kosovën edhe gjatë vitit të kaluar në samitin e njëjtë që ishte mbajtur në Granada.

Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian do të mbahet në Blenheim Palace në Mbretërinë e Bashkuar, me pjesëmarrje të rreth 50 liderëve dhe përfaqësuesve evropianë.

Blenheim, ndër të tjera është vendlindja e liderit të kohës së luftës të Britanisë, Winston Churchill’it.

Samiti i katërt i Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili do të mbahet aty më 18 Korrik, është një iniciativë franceze që synon të bashkojë Bashkimin Evropian me vendet joanëtare të BE-së, duke përfshirë Islandën, Gjeorgjinë, Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe aleatët kryesorë të NATO-s Britaninë, Norvegjinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco