DW: Si Serbia po e zvogëlon numrin e shqiptarëve në Preshevë

DW: Si Serbia po e zvogëlon numrin e shqiptarëve në Preshevë

12:07, 14/07/2024

Pakica shqiptare në jug të Serbisë është nën presion. Autoritetet e vendit po fshijnë shqiptarët që ndodhen jashtë vendit nga regjistrat e popullsisë. Mijëra prej tyre po mbeten kështu pa shtetësi.

Kur Safet Demiri, në gusht të vitit 2019, deshi të rinovonte regjistrimin e makinave të tij të biznesit, i thanë: "Ju nuk jeni më në regjistrin e adresave.” Demiri është lindur në Medvegjë (Serbi) dhe familja e tij ka 200 vjet që jeton aty. Demiri ka disa prona në vendin e lindjes, ndër to një hotel turistik dhe një kompani telekomunikacioni. Por jeton edhe në Vjenë të Austrisë, ku ka një kompani ndërtimi. Që nga viti 2019, atij i mohohet e drejta e një adrese në Medvegjë. "Si mund të kujdesem për bizneset e mia, pa adresë?” i tha Demiri nëpunësit. Si përgjigje ai mori një ngritje supesh.

46-vjeçarit iu desh të gjente një zgjidhje të përkohshme dhe e bëri regjistrimin në emër të të jatit. Ai u përpoq ta kërkonte të drejtën e tij duke e kundërshtuar vendimin në Gjykatën Administrative të Nishit, por pa sukses. "Vendbanimi juaj është jashtë shtetit, kështu që fshirja nga regjistri ka qenë e drejtë” - ishte arsyetimi zyrtar. "Nuk kemi ç'të bëjmë,” i kishin thënë më pas në gjykatë, "është vendim nga lart.”

Pasivizimi i shqiptarëve në Serbi: Flora Ferati-Sachsenmaier, një shkencëtare në Universitetin e Göttingenit, e ka hulumtuar fshirjen sistematike të shqiptarëve nga regjistrat e popullsisë në Serbi.

Çregjistrimi prek thuajse vetëm shqiptarët.

Shkaku i çregjistrimit të Demirit është se ai është shqiptar, thotë studiuesja Flora Ferati-Sachsenmaier nga Universiteti i Göttingenit. Ajo vetë është me prejardhje nga Medvegja dhe në vitin 2023 publikoi një hulumtim për Institutin Max-Planck. Temën e zbuloi krejt rastësisht, në vitin 2016, kur ishte në Medvegjë për një projekt tjetër. "Çdo i dyti shqiptar me të cilin flisja, më thoshte 'po na çregjistrojnë',” kujton Ferati për DW. Në studim ajo do të zbulonte se çregjistrimi bëhej në mënyrë sistematike.

Autoritetet serbe e quajnë këtë çregjistrim "pasivizim”. "Nëse konstatojnë se dikush nuk jeton më në adresën e regjistruar, personi fshihet nga regjistri i adresave," shpjegon Ferati. Por prej kësaj janë prekur edhe njerëz që janë me pushime ose udhëtime të shkurtra jashtë. Riregjistrimi zakonisht nuk është i mundur. Fshirja ka pasoja të rënda për të prekurit. Ata nuk kanë qasje në shërbimet publike, nuk mund të bëjnë pasaportë, ose të marrin shërbime shëndetësore.

Zvogëlimi i numrit të shqiptarëve si synim.

Synimi është zvogëlimi i numrit të shqiptarëve në Serbinë e Jugut. Shifrat e studimit Max-Planck flasin vetë: "Ndërsa në Luginën e Preshevës numri i adresave të pasivizuara përfshin gati 10 për qind të popullsisë, në pjesë të tjera të Serbisë numri i pasivizimeve prek shumë më pak se një për qind të banorëve të komunave,” thotë Ferati-Sachsenmaier.

Pasivizimi i shqiptarëve në Serbi

Çregjistrimi është problem sidomos për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, thotë Enver Haziri, i cili drejton në Gjilan një zyrë që merret enkas me nevojat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shumica e tyre janë përndjekur nga fshatrat e tyre në qershor 1999 kur forcat serbe, të zbrapsura nga forcat e NATO-s, e shfrynë mllefin te pakica shqiptare në jug të Serbisë./ DW Shqip

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco