Osmani: Paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm kur ka drejtësi për viktimat

Osmani: Paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm kur ka drejtësi për viktimat

09:31, 11/07/2024

Bosnja e Hercegovina sot shënon 29 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka shpallur edhe zyrtarisht 11 korrikun Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Srebrenica është simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit.

Ajo ka potencuar se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat.

“Srebrenica nuk është vetëm një vend në hartë, por një simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit.
Tmerret e atij kapitulli të errët, kur mbi 8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, janë kujtesë e mizorisë njerëzore.
Sot, në Ditën Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, nderojmë kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura dhe ripërsërisim se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat”,
ka shkruar Osmani.

Kombet e Bashkuara (OKB) në maj të këtij viti ka miratuar rezolutën që përcakton 11 korrikun si Dita e përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, me mbështetjen dërrmuese të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Duke dënuar mohimin e gjenocidit të Srebrenicës, rezoluta denoncoi glorifikimin e krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit dhe kriminelëve të luftës.

Miratimi i rezolutës u kundërshtua më së shumti nga Serbia dhe Rusia.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, e mohojnë gjenocidin.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco