BE: Nuk ka vend në bllok për mohuesit e gjenocidit në Srebrenicë

BE: Nuk ka vend në bllok për mohuesit e gjenocidit në Srebrenicë

22:53, 10/07/2024

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim Oliever Várhelyi, thanë të hënën në një deklaratë të përbashkët se nuk ka vend në bllok për ata që mohojnë gjenocidin, përpiqen të rishkruajnë historinë dhe lavdërojnë kriminelët e luftës.

Ata i bënë këto komente një ditë para përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës, duke e cilësuar atë një nga momentet më të errëta në historinë bashkëkohore evropiane.

“Është detyra jonë të nderojmë kujtimin e mbi 8300 djemve dhe burrave që u vranë sistematikisht në kodrat përreth Srebrenicës”, thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se “shërimi i plagëve të së kaluarës kërkon njohjen dhe mësimin e fakteve historike, nderimin dhe kujtimin e viktimave, identifikimin e atyre që janë ende të zhdukur dhe sjelljen e të gjithë autorëve para drejtësisë. Ky është çelësi për t'u përballur me rrënjët e urrejtjes që çuan në gjenocid”, thuhet në deklaratë.

“Ne duhet të ndërtojmë së bashku ura pajtimi. Nuk ka vend mes nesh për ata që mohojnë gjenocidin, përpiqen të rishkruajnë historinë dhe lavdërojnë kriminelët e luftës”, thuhet mes tjerash në deklaratën e zyrtarëve të lartë evropianë.

Kosova shpalli shpall 11 Korrikun, Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë

Qeveria e Kosovës shpalli 11 Korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë, në dritën e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të 23 majit të këtij viti.

“Ky është veprim fisnik e i duhur, në emër të Kosovës, të universales sonë njerëzore, e të dëshirës sonë për drejtësi dhe paqe. Që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte shpallur zonë e sigurt e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara dhe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë. Vrasjet e Srebrenicës ishin kulmi i përgjakshëm i luftës në Bosnjë përgjatë viteve 1992-1995, e cila pasoi shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

Si Serbia ashtu edhe serbët e Bosnjës kanë mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë edhe pse kjo është vërtetuar nga dy gjykata të OKB-së. Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak, Ratko Mlladiç, u dënuan për gjenocid në Srebrenicë nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës, me seli në Hagë. Në përgjithësi, kjo gjykatë dhe gjykatat në Ballkan kanë dënuar afër 50 zyrtarë serbë të Bosnjës të kohës së luftës me burgime të gjata./ VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco