Haxhiu për konkursin e noterëve: Një nga proceset më transparente, s’ka asnjë ndikim të MD-së

Haxhiu për konkursin e noterëve: Një nga proceset më transparente, s’ka asnjë ndikim të MD-së

11:13, 07/07/2024

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u deklarua se konkursi për noterë është në fazën e përzgjedhjes dhe se ky ka qenë proces transparent, derisa sipas saj në të kaluarën kishte pasur ndërhyrje politike.

Kreu i MD-së ka thënë se e kupton që ka mungesë të noterëve, mirëpo zotohet se procesi do të përfundojë në afat sa më të shpejtë.

Haxhiu ka përmendur konkursin e vitit 2019, të cilën e kishte anuluar me ardhjen në krye të këtij dikasteri.

“Çështja e provimit të noterisë, por edhe faza e përzgjedhjes së noterëve, kanë qenë konsideroj një nga proceset më transparente, për të cilat janë kujdesur që të mos ketë asnjë ndikim as nga brenda Ministrisë së Drejtësisë, qysh ka ndodhur në të kaluarën; më kujtohet në vitin 2019, kur i kishin futur duart nga niveli politik deri te zyrtarë civilë”, ka thënë Haxhiu.

“Nuk kam vërejtur që ka një përpjekje ose një presion, që mund të më vijë mua, nga noterët aktualë që të mos e kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë që kemi, sepse këtë nuk do ta tolerojmë. Unë e kuptoj që në Kosovë ka shumë pak noterë, mirëpo shumë shpejt iu garantoj që do procedojmë për përgjegjësitë që kemi”, ka thënë kreu i MD-së.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se ka kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kushtet për pozitën e punës si noterë, ndërsa pjesa tjetër i ka plotësuar kriteret në përputhje me konkursin e hapur.

“Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, tashmë e ka përfunduar punën që e ka pasur në përgjegjësi, e ka dorëzuar raportin në të cilin theksohet puna që e kanë adresuar gjatë kohës së intervistimit të kandidatëve të cilët kanë aplikuar për t’u licencuar për noterë”, ka thënë Haxhiu.

“Sigurisht që ne shumë shpejt do të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi, por më lejoni t’ju njoftoj që ky raport përmban atë që disa prej atyre kandidatëve, komisioni rekomandon që nuk i plotësojnë kushtet. Dhe në anën tjetër janë qindra të tjerë të cilët komisioni konsideron që i plotësojnë kushtet, prandaj në përputhje me këtë raport dhe në përputhje me përgjegjësitë e mia si ministre dhe me diskrecionin që kam ne shumë shpejt do të licencojmë noterët në mënyrë që të përmbushim obligim ligjor që kemi”, ka shtuar Haxhiu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco