“Aleancë që do t’i mbijetojë kohës dhe sfidave”, Kosova uron SHBA-në për 248 vjetorin e pavarësisë

“Aleancë që do t’i mbijetojë kohës dhe sfidave”, Kosova uron SHBA-në për 248 vjetorin e pavarësisë

12:58, 04/07/2024

Zyrtarët institucionalë në Kosovë kanë kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 248 vjetorin e pavarësisë. Ata teksa kanë vlerësuar rolin e Amerikës për çlirimin e vendit, kanë thënë se aleanca me SHBA-në do të jetë e përjetshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar shtetin amerikan duke thënë se është “Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave!”.

“Sot, populli i Kosovës feston krahas popullit amerikan. Sot, kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme! Aleatëve tanë amerikanë: Gëzuar 4 Korriku! Happy Fourth of July!”, shkroi Osmani.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në urimin e tij ka thënë se SHBA-ja i ka vendosur themelet e forta të lirisë, demokracisë, që shërbejnë si vlera përparimtare të popujve. Sveçla është shprehur të enjten se këto vlera duhet të triumfojnë “përballë agresioneve e rreziqeve me të cilat po përballet bota e njerëzimi”.

“Festojmë sot si aleatë të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohjen jo vetëm për përkrahjen e vazhdueshme por edhe shembullin që vazhdojnë të japin tash e 248 vite. Në këtë datë të shënuar, urojmë popullin amerikan dhe institucionet e ShBA-ve, miqtë e partnerët e Republikës sonë! Urime 4 korrikun!”, ka shkruar ai.

E Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,  është shprehur se revolucioni amerikan padyshim do mbetet në historinë e njerëzimit.

“Si ngjarje që nxiti lëvizjet e mëvonshme anti-kolonialiste, i dha guxim popujve për të vetëvendosur fatin e tyre, e për të zgjedhur llojin e qeverisjes që duan”. “Pikërisht për efektin zingjiror që pati 4 korriku si ngjarje në luftën për lirinë, të drejtat e barazinë ashtu siç i njohim sot si pararendëse e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut duke mos u kufizuar thjesht brenda territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhe si kontribues direkt në pavarësinë e shteteve tjera si në rastin e Republikës së Kosovës”.

Ai është shprehur se do të jenë gjithmonë falënderues si komb për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në arritjet e Kosovës. “Andaj në këtë ditë i bashkohemi festës së popullit amerikan, partnerit tonë të përhershëm”, shkroi ai.

Urime për SHBA-në e ka shprehur edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se SHBA-ja është sinonim i kombit të madh që angazhohet për një botë më paqësore dhe më të sigurt.

“Edhe për Kosovën SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Historik Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vizioni politik i yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat euro-atlantike”, thuhet në mesazhin e LDK-së në Facebook.

Ndërkaq, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se 4 korriku është ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike.

“Përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur e treguar nga SHBA-të kanë frymëzuar shtetet anembanë globit, përfshirë Kosovën, që të nisin një rrugë të re – atë të lirisë dhe të zhvillimit”, ka shkruar mes tjerash Krasniqi në Facebook.

Dy ditë më parë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë organizoi një ceremoni me rastin e 4 Korrikut, 248 vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm presidentja e vendit, Vjosa Osmani, një numër i madh deputetësh të Kuvendit të Kosovës, pjesëtarë nga mediat dhe shoqëria civile, etj.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, uroi amerikanët por edhe popullin e Kosovës derisa ka thënë se mbështetja për Kosovën vazhdon.

“Sot ne festojmë 248 vjetorin e Shteteve të Bashkuara si një shtet demokratik dhe i lirë, duke i çmuar parimet e jetës, lirisë dhe lumturisë, parime që kanë frymëzuar shumë vende të tjera, përfshirë Kosovën. Ne jemi krenarë për mbështetjen tonë për popullin e Kosovës tash e një çerek shekulli, duke ndihmuar në ndërtimin e kombit tuaj sovran, të pavarur dhe multietnik. Faleminderit që festuat me ne, gëzuar Ditën e Pavarësisë SHBA”, shkroi Hovenier.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco