INVESTIGIM/ Vetingu në Policinë e Shtetit ende me 'ritëm breshke'

INVESTIGIM/ Vetingu në Policinë e Shtetit ende me 'ritëm breshke'

09:26, 27/06/2024

Procesi i veting-ut brenda Policisë së Shtetit po vijon të ecë me një ritëm të ngadaltë, duke treguar se “pastrimi” i forcës do të zgjasë më shumë se vetingu paralel në drejtësi. Pas më shumë se 4 vitësh, procesi ka ndryshuar formë, objektiv dhe administrim, por ritmet mbeten po të njëjta. Kritikët argumentojnë se mungesa e një afati përfundimtar sinjalizon një dështim të mundshëm, ndërsa të tjerë theksojnë rëndësinë e ruajtjes së një procesi të paanshëm politikisht, thotë në invetigimin e fundit  Albanian Center for Quality Journalism.

Ku ishim

“Ritmet e ngadalta, me të cilat po ecën vetting-u në polici, tregojnë se “pastrimi” i uniformave blu do të marrë më shumë kohë se vetting-u paralel në drejtësi. Ndërsa kritikët e konsiderojnë dështim mungesën e një afati për përmbylljen e procesit, të tjerë sugjerojnë se më e rëndësishme është që ky “skaner” delikat të mos ketë prapavijë politike.” Këto rreshta perifrazojnë shumë qartë shkrimin e publikuar në INA Media në 24 Maj të 2021, për veting-un në Policine e Shtetit.

Në gjetjet e investigimit të INA Media, ishte fakti që një vit punë e hetuesve të komisionit të përkohshëm i kushtonte buxhetit të shteti 54 milionë lekë, ku për po të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të siguruara në 2021, trupa e vetingut për uniformat blu kishte kaluar në sitë gjithësej 40 subjete, nga të cilat 31 i kishte konfirmuar në detyrë, 4 ishin perjashtuar dhe 5 kishin paraqitur dorëheqjen. Në proces në 2021 ishin gjithësej 112 subjekte te tjera.

“Një rezultat i tillë, nëse llogaritet nën të njëjta ritme, do të thotë se për vetingun në nivele të larta për gradat drejtuese dhe zyrtarët e SHÇBA-së do të duhen 120 muaj për 300 zyrtarët e policisë që mbajnë funksione drejtuese, çka do të thotë se duhen rreth 10 vite për përmbylljen e procesit të vetingut në radhët e policisë”, thuhet në shkrimin e publikuar në INA Media, i cili ndër të tjera vë në dukje edhe se vlera monetare që ishte e nevojshme nga buxheti i shtetit ishte mbi 300 milionë lekë.

Në një qëndrim zyrtar të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, më datë 1 mars 2021, thuhet se “KJV ka qenë në pritje për daljet në seanca edhe për subjekte të tjera, për të cilat, bazuar në kërkesat, ka patur zgjatje afati për prapësimet në rastet e kalimit të barrës së provës apo për problemet shëndetësore.”

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Investigative Netëork Albania, me anë të kërkesave për informim, në 2021,  numri total i punonjësve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit (KJV), ishte 30, ndërsa varianti i parë i ligjit parashikonte 135 punonjës. Nga të dhënat zyrtare, rezulton se qeveria, me anë të VKM-së Nr.14/2019, përcaktoi pagën për 15 anëtarë të KJV-së dhe 15 anëtarëve të Sekretariatit Teknik.

Konkretisht, anëtari i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit paguhej 190 mijë lekë, ndërsa anëtari i Sekretariatit Teknik, 110 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, shpenzimet e tjera teknike mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Brendshme. INA media, ju drejtua zyrtarisht Ministrisë së Brendshme në lidhje me koston e KJV deri në shpërbërjen e tij, por nuk mori nje përgjigje nga Ministria.

Çfarë ka ndryshuar tre vite më pas?

Në 2022 u bënë edhe disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punojësve të Policisë së shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.”

Ligji për vlerësimin kalimtar e periodik, gjatë zbatimit dhe implementimit të tij ka pësuar ndryshime të vazhdueshme, përkatësisht në vitin 2019, 2020, 2021 dhe më pas në vitin 2022. Ndër ndryshimet kryesore janë heqja nga filtrat e vetingut të punonjesve të thjeshtë të Policisë së Shtetit, ku këtij procesi tashmë do ti nënshtrohen vetëm drejtuesit e lartë.

Ligji fillestar nr. 12/2018, parashikonte Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, si organin përgjegjës për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (ish-SHÇBA), duke kryer një proces të plotë për kontrollin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Ndërkohë me ndryshimet ligjiore të ndodhura, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është institucioni përgjegjës për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodic, duke e kthyer këtë të fundit nga një institucion që bie nën sitën e procesit, në institucionin kyç që e zhvillon atë. Objekt i këtij procesi është vlerësimi i pasurisë, kontrollit të figruës dhe vlerësimi i aftësive profesionale. 

“Objekt i kontrollit të figurës është verifikimi i deklarimeve të punonjësit dhe i të dhënave të institucioneve me qëllim verifikimin e vertetësisë dhe besueshmërisë së deklarimeve si dhe identifikimi i atyre që janë të përfshirë apo të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar, kanë kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë ose të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar”, thotë për INA media Ministria e Brendshme. 

Procesi i Vettingut në Policinë e Shtetit, pavarësisht se nisi me vrull, u duk sikur pati një frenim gjatë 2022, ku në muajin dhjetor përfundoi veprimtarinë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe u bë dorëzimi dhe kalimi i kompetencave të tij pranë Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. Në një reagim zyrtar për INA Media, Agjencia e Mbykqyrjes Policore thotë se: “Procesi i vetingut (vlerësim kalimtar dhe periodik) nuk ka ndaluar”.

Ndër të tjera, AMP shton se që prej dorëzimit të kompetencave nga KJV, “ka vazhduar me përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr 12/2018, i ndryshuar, duke miratuar aktet ligjore dhe nënligjore që normohen me ligj”.

Aktualisht, trupa e vetingut për Policinë e Shtetit, e cila është pjesë e organikës së Agjencisë së Mbykqyrjes Policore, është e përbërë nga 12 anëtarë, të cilët janë të organizuar në 4 trupa vlerësuese me 3 anëtarë. “Anëtarët e trupës vlerësuese kanë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar dhe janë të organizuar në formën e organit kolegjial”, thotë AMP.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore, po zhvillon procesin e vleresimit kalimtar për 72 subjekte të vlerësimit ku ka marrë deri më tani gjithësjen 35 vendime, nga ku, katër prej tyre janë punonjës së AMP, dy janë punonjës të Gardës së Republikës dhe 29 të tjerë, punonjës të Policisë së Shtetit.

Nga 29 punonjësit e Policisë së Shtetit, 20 vendime janë marrë për konfirmimin në detyrë të punonjësve, 7 vendime për ndërprerje të procesit të vlerësimit kalimtar, 1 vendim për përjashtim nga detyra dhe 1 vendim për largim nga pozicioni.  

“Gjithashtu ju informojmë se po zhvillohet hetimi administrativnnë kuadër të procesit të vlerësimit kalimtar për 37 subjekte vlerësimi”, thotë Ministria e Brendshme.

INA Media, e pyeti ministrine: “A kane ndryshuar kostot e Vetingut pas ndryshimit te ligjit dhe vendosjen e tij vetingut ne AMP?”, por kjo pyetje nuk mori një përgjigje nga ana e këtij institucioni.

Ajo që vihet re, edhe pas kalimit të procesit pranë AMP, nga e cila pritej një efikasitet edhe më i lartë, vijon me të njëjtat ritme, njëkohësisht duke përjashtuar nga procesi i verifikimit të figurës së oficerit të Policisë së Shtetit edhe pjesën më dërrmuese të kësaj force.

Sindikata: Ndryshimi ligjit pozitiv, ana negative varësia nga Ministria

Për Sadedin Fishtën, kreun e Sindikatës së Policisë, ndryshimi i ligjit ishte i domosdoshëm, edhe pse shpreht që ligji ka anë positive dhe negative.

“Pozitiv është fakti që subjekt i këtij ligji praktikisht mbeten vetëm punonjësit me gradë drejtues e lartë”, thotë ai duke shtuar se u përjashtuan punonjësit e nivelit zbatues dhe rolit të parë drejtues. Ndër të tjera zoti Fishta shprehet se ky ndryshim pati reagme pozitive duke shmangur frikën dhe pasigurinë në deklarime të këtyre niveleve.

“Këta punonjës gjatë ushtrimit të detyrës janë në kontakt direkt me publikun dhe patjetër që shkeljet dhe veprimet e tyre korruptive janë lehtësishtë të kontrollueshme nga publiku dhe Agjencia e Mbikqyrjes Policiore”, shprehet ai duke shtuar se fakti që shumë punonjës që nuk po i nënshtrohen procesit të vetingut, po përjashtohen nga policia duke u vendosur në hetim nga strukturat e AMP, tregon anën pozitive të këtij ligji.

Ana negative sipas zotit Fishta është fakti që struktura e vetingut “kontrollohet nga Ministri i Brendshëm”.

“Ushtrimi i vetingut nga komisioni sado transparent të behet, autriteti politik i Ministrit patjetër do të ndikojë në vendimarrjen e komisionit për shkak të varësisë së tyre”, thotë ai duke shtuar se ka qenë mendimi edhe i Sindikatës që vetingut të shtrihet vetëm në nivlin e mësëm drejtues. Sipas kreut të Sindikatës procesi i vetingut është: “efektiv e i domosdoshëm, po praktikisht po ecet ngadalë”.

Gjithashtu ai pranon se aktualisht ka ankesa që adresohen pranë sindikatës nga punonjësit e policisë për shkelje të të drejtave të tyre. “Ja paraqesim komisionit të vetingut për verifikim e vlerësim për drejtues sipas rastit”, përfundon zoti Fishta.

Ndonëse ky proces ka tashmë vite që ka nisur, ecuria e tij duket e ngadaltë, ku pas përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik, punonjësit e Policisë së Shtetit të përcaktuar sipas ligjit, do të duhet t’i nënshtrohen deklarimit dhe vlerësimit periodik çdo 5 vite, të bën të mendosh, se ky afat nuk do të arrihet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco