Vazhdon dëshminë Kurtesh Fondaj në rastin Thaçi dhe të tjerët, thotë se s’ka qenë pjesëtar i FARK-ut

Vazhdon dëshminë Kurtesh Fondaj në rastin Thaçi dhe të tjerët, thotë se s’ka qenë pjesëtar i FARK-ut

10:45, 25/06/2024

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë ish-ushtari i Zonës Operative të Pashtrikut, Kurtesh Fondaj në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Fondaj tha se nuk ishte pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Në seancën e së martës, pyetjet për këtë dëshmitar i ka vazhduar avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mishetiq u fokusua tek një intervistë e dëshmitarit me Zyrën e Prokurorit të Specializuar lidhur me disa akuza që supozohet që i kishte bërë Halil Çadraku që kinse Fondaj ishte anëtar i Forcës së Armatosur të Republikës së Kosovës (FARK).

“Është e vërtetë se ka ekzistu formacioni UÇK dhe fillimisht ka ekzistu Ministria e Mbrojtjes në Qeverinë Bukoshi, mirëpo edhe formacionet që janë formu në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes janë quajt FARK. Në periudhën tetor-nëntor, ka pas iniciativa edhe kogja shumë përpjekje që këto dy subjekte ushtarake të unifikohen në një dhe gjatë fazës së muajit nëntor është arritë një marrëveshje ushtarake për unifikim të ushtrisë. Për sa i përket mua, unë si pjesëtar i FARK-ut nuk kam qenë, unë kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Por edhe dje gjatë intervistave e përmenda se FARK-u në territorin e Kosovës kanë vepru si njësi e UÇK-së. Pra, ata e kanë pas edhe emblemën edhe i kanë raportu Shtabit të Përgjithshëm në nivel të Kosovës dhe jo Ministrisë së Mbrojtjes. Kur them ‘jo’, kjo mundet me qenë me rezervë, por që i kanë raportu Shtabit të Përgjithshëm është evidente”, u përgjigj.

Fondaj shtoi se pretendimi i Çadrakut mund të ketë qenë pasi dëshmitari kishte kërkuar unifikimin e FARK-ut dhe UÇK-së. Ai shtoi se FARK-u ka figuruar në Shqipëri dhe jo në Kosovë.

Fondaj tha se është përpjekur që jeta në ushtri të jetë institucionale, për çka tha se mendon se kjo është arritur.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Ben Emmerson, Fondaj tha se Çadrakut i ishte tërhequr vërejtja nga Ekrem Rexha për veprimtaritë e tij gjatë funksionit të tij si pjesëtar i Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ).

Fondaj gjithashtu shtoi se Çadraku e kishte cilësuar këtë vërejtje si tendencë për bllokimin e punës së ZKZ-së.

Dëshmitari Kurtesh Fondaj tha se përfaqësuesi i ZKZ-së brenda brigadës së tij i merrte urdhrat nga komandanti i Brigadës.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit, i cili është i cili po e përcjell seancën përmes video-lidhjes. Në të njëjtën formë, është i pranishëm edhe gjyqtari Christopher Barthe, për të cilin kryetari i turpit gjykues Chalres Smith tha se për arsye personale nuk ka mundur të jetë i pranishëm fizikisht në sallë.

Përpara se të dëgjohet dëshmia e këtij dëshmitari, avokati Emmerson kërkoi që të kalohet në sesion privat për t’i trajtuar disa çështje, e që kjo u aprovua nga trupi gjykues.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco