NATO: Mark Rutte, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s

NATO: Mark Rutte, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s

09:14, 21/06/2024

32 vendet anëtare të NATO-s, pas diskutimeve të gjata, më në fund ranë dakord për kryediplomatin e ri të aleancës. Kryeministri holandez Mark Rutte do ta përfaqësojë këtej e tutje aleancën.

Pothuajse përpara një viti, në fillim të korrikut 2023, Mark Rutte hodhi gurin duke deklaruar: “Do të tërhiqem nga politika”, deklaroi ai pas trembëdhjetë vjetësh kryeministër i Holandës – periudha më e gjatë në këtë post deri më sot në Holandën me 17 milionë banorë. Çfarë kishte ndodhur?

Partia liberale e djathtë VVD e Rutte-s e konsideronte si të butë politikën e tij të azilit. Koalicioni i brishtë qeverisës i përbërë nga katër parti dështoi. Pasuan zgjedhjet e reja, që i fitoi ekstremisti i djathtë Geert Wilders. Mark Rutte nuk mundi më ta pengonte këtë spostim djathtas. Kjo ishte humbja më e madhe politike në jetën e tij. Më 2 korrik ai përfundimisht u tërhoq nga posti i kryeministrit. Për gati një vit ai vazhdoi të qëndrojë në detyrë si komisar, për shkak të vështirësive me krijimin e qeverisë në Holandë.

Një tërheqje shumë e shkurtër nga politika

Që ai donte të tërhiqej nga politika, këtë e kishte harruar Mark Rutte qysh në tetorin e vitit të kaluar. Ai la të kuptohet, se synon tani postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Për muaj me radhë ai zhvilloi një fushatë diskrete individuale elektorale tek kryetarët e shteteve dhe të qeverive, të cilët i njihte prej vitesh nga forume të ndryshme ndërkombëtare. Si një i bindur fort për aleancën transatlantike dhe një ndër përkrahësit më të flaktë të Ukrainës 57 vjeçari me i diplomuar si historian arriti të bindë fillimisht SHBA-në dhe më pas shumicën e aleatëve të tjerë.

Për të bindur armikun intim evropian, Viktor Orban, atij iu desh një kohë më e gjatë. Për të fituar besimin e konservatorit të djathtë, kryeministrit hungarez, Mark Rutte-s iu desh t’i premtonte atij, se gjatë mandatit të tij në NATO, Hungarisë asnjëherë nuk do t’i kërkohet të marrë pjesë në aktivitetet e aleancës për Ukrainën jashtë territorit të NATO-s. Furnizimet me armë Orbani që anon nga Rusia i përjashton gjithashtu. Holandezi liberal dhe liberali hungarez shpesh janë përplasur në BE me njeri-tjetrin. Mark Rutte më 2021 ia përplasi hapur Viktor Orban në fytyrë, duke i thënë, që nëse nuk i pëlqen në BE le të largohet. Atëherë Orbani nxori ligjin armiqësor kundrejt komunitetit LGBTQ+ në Hungari.

Me biçikletë dhe piano

Mark Rutte deri më sot shpesh ka rënë në sy për humorin e mirë e shprehjet lirshëm. AI udhëtonte me biçikletë nga banesa e tij modeste në Hagë deri në kryeministri. Si pianist i talentuar ai njëherë luajti në një piano të vendosur në shesh publik përpara stacionit të trenit në Hagë.

Si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s atij do t’i duhet disi të përmbahet dhe të jetë më diplomat. Detyra e tij kryesore do të jetë, të ekuilibrojë interesat e 32 vendeve anëtare të aleancës dhe t’i mundësojë asaj një prezantim unik nga jashtë. Paraardhësi i tij, norvegjezi Jens Stoltenberg, ishte një mjeshtër stoik në këtë drejtim. “Përmbaju mesazhit tënd”, është receta për suksesin komunikativ i kryediplomatit të NATO-s.

Menaxher i suksesshëm krizash

“Drejtimi i vërtetë kërkon aftësinë të dëgjosh dhe të kuptosh perspektiva të ndryshme”, ka thënë njëherë gjatë një fjalimi Mark Rutte. Kjo është një moto e mundshme për postin në NATO. “Ai është një menaxher i suksesshëm krizash”, thotë gazetarja Sheila Sitalsing për Mark Rutte-n. Komentatorja e “Volkskrant” ka shkruar një biografi për kryeministrin me mandat rekord.

Rutte di t’ia gjejë telat Trump-it

Nëse në SHBA Donald Trump do të zgjidhet sërish president dhe do të verë NATO-n në shënjestër, Mark Rutte është i përgatitur. Ai pati arritur të krijojë një raport të mirë me Trump-in gjatë mandatit të tij të parë. Madje Donald Trump e quan atë shok, ndonëse kryeministri liberal i kombit të tregtisë, Holandës, e ka refuzuar fuqishëm politikën ekonomike të republikanit Trump./DW/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco