Presidentja Osmani nga Zvicra: Kosova është e fortë kur ecën përpara bashkë me aleatë

Presidentja Osmani nga Zvicra: Kosova është e fortë kur ecën përpara bashkë me aleatë

13:29, 15/06/2024

Presidentja Vjosa Osmani është paraqitur live nga Zvicra ku ka folur për Samitin për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok.

Ajo ka thënë se Kosova është e fortë kur ecën përpara bashkë me aleat.

Më tej, e para e shtetit tha se njësoj siç kanë qenë të domosdoshme aleancat që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj, sipas saj, është po aq e rëndësishme që tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë nëpërmjet agresion rus, të qëndrojnë të gjitha vendet bashkë në njëjtat vlera e për t’i mbrojtur të njëjtat parime siç, sipas saj, janë mbrojtur në vitet e ’90-ta në Kosovë.

“Është me rëndësi që të qëndrojmë bashkë si aleatë, të mbrojmë parimet si në vitet e 90-ta në Kosovë”, ka thënë presidentja përmes një lidhjeje direkte në llogarinë e saj në Facebook.

Ajo ka treguar edhe çka do të flitet në Samit.

“Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme është siguria nukleare. E dyta, do të jenë dimensionet e tjera të sigurisë, siç është siguria ushqimore”.

“Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tha Osmani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco