Robertson: Lufta në Ukrainë kërcënim edhe për Ballkanin Perëndimor, rajoni të jetë në fokus të Samitit të NATO-s

Robertson: Lufta në Ukrainë kërcënim edhe për Ballkanin Perëndimor, rajoni të jetë në fokus të Samitit të NATO-s

11:14, 11/06/2024

Në Samitin për Ballkanin Perëndimor të Economist Impact ka folur edhe ish-Sekretari i NATO-së, George Robertson. Robertson ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë është një kërcënim ekzistencial për Perëndimin dhe gjithashtu edhe për Ballkanin Perëndimor, shkruan Gazeta Express.

“Sot ekziston një kërcënim ekzistencial për Perëndimin, përfshirë edhe Ballkanin perëndimor. Ky kërcënim mbulon gjithë kontinentin e Evropës”, ka thënë Robertson.

Ai ka përmendur përfshirjen Perëndimore gjatë viteve të 90-ta për të ndalur luftërat dhe spastrimin etnik të regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se përfshirja e bashkësisë ndërkombëtare, ishte një bazë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik”, ka thënë ish-Sekretari i NATO-së.

Tutje Robertson ka përmendur edhe Samitin e NATO-s që do të mbahet në Washington përgjat 9, 10 dhe 11 korrikut dhe ka thënë se ky Samit duhet të fokusohet edhe në atë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur keqinformimin dhe ndërhyrjen në zgjedhje, raporton Express.

“Samiti duhet të fokusohet edhe për atë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin perëndimor. Keqinformimi, ndërhyrja në zgjedhje, destabilizimi, shkatërrimi ekonomik, gjitha këto janë instrumente të Rusisë dhe agjencive të inteligjencës. E gjithë kjo do të jetë në vëmendje të ministrave në Washington”, ka thënë Robertson.

Në fjalën e tij, Robertson ka thënë se e ardhmja e rajonit është në duart e qytetarëve dhe të atyre që zgjedhin për t’i përfaqësuar./GazetaExpress/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco