Thonj artificial e aksesorë, nuk po shkojnë në dasmë por në QKUK !

Thonj artificial e aksesorë, nuk po shkojnë në dasmë por në QKUK !

12:28, 22/05/2023

 

Thonj artificial e aksesorë, janë përmendur në raportin për infeksionet brenda spitalore në QKUK, ku thuhet se një ndër shkaktarët e transmetimit të infeksioneve, janë dhe zgjatja e thonjve artificial apo dhe aksesorët tjerë.

E kjo tregon se personeli shëndetësor në QKUK nuk i përmbahet kodit të veshjes, i cili do të duhej të ishte diçka e padiskutueshme për mantelbardhet.

Derisa thonjtë e aksesorët nuk mungojnë në klinikat e QKUK-së, në vendet tjera të zhvilluara për gjëra të tilla as që bëhen fjalë.

Leta Bytyqi, mjeke interniste në Gjermani, thotë se personelit shëndetësor gjatë orarit të punës, nuk i lejohet të mbajnë as orë, as unazë dhe asnjë aksesor tjetër. Ndërkaq për thonj artificial as që bëhet fjalë.

” Këtu në klinika nuk na lejohet të mbajmë as orë, as unazë as zinxhir. Sepse për thonj artificial as që bëhet fjalë. Ne dhe uniformat i kemi me mëngë të shkurta, për shkak të higjienës. Neve mjekëve madje nuk na lejohet as t’i lëshojmë flokët gjatë orarit të punës “, tha ajo.

Edhe infektologu Lul Raka për thonjtë artificial të QKUK-së,  tha se punëtorët shëndetësore të cilat punojnë me pacientët, nuk do të duhej të lejohen të mbajnë thonj artificial,  pasi që kjo është normë themelore, për një punëtorë shëndetësor.

” Nëse duhesh me u kujdes për pacientin s’ka dilema aty. Nuk do të duhej me lejohet të mbajnë thonj nëse ato punojnë me pacientin.  Këto janë norma themelore”, tha ai.

Ndërsa nga drejtoria e ShSKUK-së, i është thënë “IndeksOnline”, se SHSKUK ka një rregullore të miratuar që nga viti 2016, lidhur me veshjen, dukjen e të punësuarve në institucioneve shëndetësore që menaxhohen nga ShSKUK, e cila ende është valide.

“Drejtoria e ShSKUK, ka përsëritur njoftimin, urdhëresën për njësitë dhe tashmë i’u është rikujtuar, në rastet kur vërehet mos zbatim dhe shkelje e saj, do të ndërmerren masat konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

Ndërkaq në rregulloren e SHSKUK-së për veshjen dhe dukjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore publike, thuhet se të punësuarve u ndalohet rritja, mbjellja  e thonjve si dhe ngjyrosja me ngjyra të theksuara dhe dizajnimi i tyre. Sipas rregullores, të punësuarit brenda institucioneve shëndetësore publike mund të bartin vetëm unazat e martesës dhe një palë vath diskret nga ari apo argjenti. Ndërkaq stolitë dhe  format e tjera të stolive që shpojnë trupin, ndalohen dhe nuk duhet të mbahen.

Sipas rregullorës, në rast se të punësuarit nuk i respektojnë rregullat e veshjes dhe dukjes, ndaj tyre inicohet procedura disiplinore.

Megjithëse ka një rregullore për mënyrën e veshjes së personelit shëndetësor, siç duket ajo nuk respektohet aspak. Thonjtë, aksesorët, flokë e make- up nuk mungojnë tek punëtoret e ShSKUK-së , të cilët herë pas here nuk dallojnë nga dukja në dasmë, apo në ndonjë event tjetër të kësaj natyre. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco