Politologu Arbër Zaimi komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv deklaratën e ambasadores Yuri Kim në mbështetje të nismës 'Ballkani i Hapur'.
Zaimi u shpreh se Kim u tregua e kujdesshme duke thënë se mbështet çdo iniciativë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me kushtin që Ballkani i Hapur të plotësojë kriterin e kahjes europiane dhe të jetë i hapur për të 6 vendet.
"Asnjë nga kriteret nuk plotëson Ballkani i Hapur. S'jam i vetmi që e them, por edhe analistë që kanë këshilluar disa administrata në SHBA.
Ballkani i Hapur i bën karshillëk Europës. Ballkani i Hapur përpiqet që mos të ketë kahje të saktë dhe të qartë pro-europiane, por ulje në dy karrige, të hapur dhe me Rusinë, dhe me Europën e BE-në.
Ballkani i Hapur s’është i hapur për 6 vendet sepse Serbia mendon se janë 5 vende në Ballkanin Perëndimor, Serbia nuk njeh Kosovën."-tha Zaimi.
Më tej analisti tha se ka një dallim të madh mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur. Open Balkan është i hapur ndaj Rusisë, ndërsa Procesi i Berlinit është i mbyllur ndaj Rusisë.
"Amerikanët e kuptojnë, janë të angazhuar në Serbi, dhe kërkojnë që të shkëputet nga Rusia. Serbia s'duhet të jetë një marionetë e Putinit. Dyshoj për rezultat pasi nuk është ndikuar shumë Vuçiç nga kritikat."-tha Zaimi.
© SYRI.net