Kurti - opozitës: Hallin e keni me mua e rezultatin e 14 shkurtit, por s’kam çfarë bëj se populli ka votuar

Kurti - opozitës: Hallin e keni me mua e rezultatin e 14 shkurtit, por s’kam çfarë bëj se populli ka votuar

14:04, 22/09/2022

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot janë deklaruar në lidhje me grevën në arsim.

Ndër të tjerash, pati vërejtje të shumta në drejtim të Qeverisë dhe të kryeministrit Albin Kurti.

E pas kësaj, Kurti tha se derisa ai ishte në Bruksel, duke diskutuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë u shpall greva në arsim.

“Greva nga BSPK është shpallur më 17 gusht, ditën që jam nisur për në Bruksel ,e  po atë ditë është shpallur udhëheqës i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj. Isha pesë orë në diskutim me presidentin serb, e lajmi në Kosovë ishte se në Kosovë fillon greva.Pra kishin një kryeministër që po diskutonte me fqinjin tonë agresiv e dashakeq derisa në shtëpi paralajmërohet greva. Tash këtu  dy deputetë besoj që e thanë të vërtetën e kësaj polemike, deputeti Pal Lekaj i AAK-së dhe deputeti Ferat Shala i PDK-së. Ata treguan qartë se e kanë me mua, e jo me arsimin. Pa numër herë secili thotë kryeministri, kryeministri. Ata kanë probleme mua, e në rregull se për atë është opozita, por se kanë as me arsimin, as me grevën, as me Rrahman Jasharaj e me ministren, por me mua.E në thelb të kësaj është një mosnjohje kronike e rezultatit të 14 shkurtit të kaluar. Për besë ky është problemi, pro do të tejkalohet ajo.Se s'kam çfarë bëjë unë se populli ka votuar. Halli është se jam unë kryeministër, jo se s’po shkojnë fëmijët në shkolla.Greva po përdoret si armë kundër kryeministrit. Ky është synimi i qartë që u shpalos sot nga këta dy deputetë. Kur këto dy parti ishin si PAN-i, bëhet memorandum bashkëpunimi me SBASHK-un, pra me 5 qershor, PAN-i me SBASHK-un”,shtoi ai.

Kryeministri gjithashtu tha se deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj , në deklarim mori shembull shtetin e Finlandës për arsim, por se këtë do të duhej ta bënte sa ishte ministër.

“Dhe është i njëjti njeri në krye të SBASHK-ut e janë dy deputetë të dalur prej PAN-it, në dy parti të ndryshme, se e treta nuk e kalojë pragun që sot e tregojnë qartë se problem është kryeministri e jo pse nxënësit nuk shkojnë në shkolla. Deputeti Hoxhaj merr shembull Finlandën për grevë, ka qenë ministër i Arsimit është dashur atëherë të kujtohet e jo tani, për besë nuk është fer. Besoj se vëllezërit janë për të shtëpia, ka kalu koha kur dikush bëhet kryeministër bëhet më vllazni, prandaj unë natyrisht që irritohem kur dikush vjen në zyrën e kryeministrit, kur dikur ka qenë dikush tjetër tash jam unë e një ditë vjen dikush tjetër thotë vëlla.Është shumë me rëndësi që të kuptohet vizioni im, që të ndahet publikja nga privatja. Bëhet fjalë për një qeverisje demokratike që dëshiron ta bëjë këtë ndarje, e ne po e bëjmë këtë ndarje. Të flasësh për arsimin me terma të vllaznillakut ka mund të jetë në të kaluarën por s’është më dhe s’do të jetë sa të jem unë kryeministër”,tha Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco