Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, “përkujtoi parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, Kartën e OKB-së, e cila duhet të garantojë paqen në botë dhe paprekshmërinë e integritetit territorial”, transmeton televizioni publik serb RTS.
“Ne dëgjuam të vërtetën e Beogradit, e vërteta është një, nuk ka të vërtetë tjetër, as të Perëndimit as të Lindjes, por vetëm ajo të cilën e tha presidenti ynë Vuçiq, i cili bëri një punë të shkëlqyer duke na kujtuar këtë të vërtetë”, ka deklaruar Brnabic.
“Pas fjalimit të Vuçiqit, është e qartë pse Perëndimi insiston kaq shumë dhe ushtron kaq shumë presion për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka pretenduar Brnabic.
“Gjithçka që tha presidenti Vuçiq mbrëmë, gjithçka që ai theksoi qartë, është “therë në këmbën e tyre”, e që është se të gjitha “tregimet” për integritetin territorial të Ukrainës, të gjitha bien në ujë kur përmendet Serbia dhe kur presidenti Vuçiq thotë – mirë, dhe cili është ndryshimi midis integritetit territorial të Ukrainës dhe Serbisë”, vazhdon kryeministrja serbe me “margaritarët” e saj.
Ajo ka shtuar se kjo është “ajo therë në këmbën e tyre që ata duan që ta nxjerrin, duke zgjidhur këtë çështje dhe që pastaj ne të mos mundemi më t’i referohemi statutit të OKB-së dhe të përkujtojmë për hipokrizinë e tyre”.
“Ata që nuk e kanë respektuar integritetin territorial të Serbisë shumë mirë i kanë dëgjuar fjalët e presidentit tonë Vuçiq, e a do të ndryshojnë diçka, nuk do të ndryshojnë, por nuk do t’ia falin sepse e ka thënë të vërtetën”, ka deklaruar Brnabic, e cila si edhe shefi i saj mbrëmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nuk ka mundur ta kontrollojë nervozizmin e saj.
© SYRI.net