'Pastrimi' në kolaps, rrezikon ta lërë Prishtinën të zhytur në bërllog

'Pastrimi' në kolaps, rrezikon ta lërë Prishtinën të zhytur në bërllog

14:02, 05/07/2022

5 korriku ishte data që Kompania Për Menaxhimin e Deponive të Kosovës ia ka caktuar kompanisë ‘Pastrimi’, për pagesën e një pjese të borxhit, në mënyrë që kjo e fundit të mund t’i çoj mbeturinat aty. ‘Pastrimi’ e kreu një pjesë të pagesës, duke e shtyer edhe 10 ditë të tjera afatin për pagesat e radhës.Por, , çka do ndodh pas datës 15 korrik? Syri.net Kosova sjell më poshtë përgjigjet e të dy kompanive, sa i përket kësaj çështje

Erdonit HOXHA

Një mosmarrëveshje për pagesë mes Kompanisë Për Menaxhimin e Deponive të Kosovës me kompaninë ‘Pastrimi’, ka mundur të jetë shkak që Prishtina të mbushet plot mbeturina.

Kjo se, KPMDK ia kufizoi orarin ‘Pastrimit’ për t’i çuar mbeturinat e grumbulluara në deponi, madje, në një prononcim për Syri Kosova ditë më parë, e paralajmëruan ‘Pastrimin’ se nëse nuk e paguajnë një pjesë të borxhit, pas datës 5 korrik të këtij viti, deponia për këtë kompani do mbyllej tërësisht.

Por, çka ndodhi sot, që data është 5 korrik?

Përgjigjën e kësaj pyetje për Syri.net Kosova e kanë dhënë nga KPMDK, të cilët thanë se ‘Pastrimi’ ka bërë pagesë simbolike, duke e shtyer afatin për pagesat tjera, për 10 ditë.

Pra, sipas KPMDK-së, kompania ‘Pastrimi’ ka edhe 10 ditë kohë që të bëj pagesat tjera.

Nga ana tjetër, deri me datën 15 korrik, bordi i KPMDK-së do mbaj një mbledhje, për të biseduar rreth këtij problemi.

“Kompania ‘Pastrimi’ sot ka bërë një pagesë simbolike, prandaj, është hequr edhe orari kufizues ndaj tyre. Madje, është bërë demode kjo forma e orarit kufizues, sepse, nuk është hera e parë që kjo gjë i është bërë kësaj kompanie. Ne kemi thënë që nëse nuk paguhet një pjesë e borxhit deri me datë 5 do mbyllet deponia për kompaninë ‘Pastrimi’, por, duke qenë se u pagua një pjesë e saj, atëherë data për pagesa tjera u shtye për datën 15 korrik. Para datës 15 korrik bordi i KPMDK-së do mbaj një mbledhje ku do diskutohet për këtë gjendje” thuhet në përgjigjen e dhënë për Syrin.

Po ashtu, nga KPMDK kanë thënë se janë të lodhur nga premtimet e Pastrimit, por, megjithatë, deri në datën 15 korrik të këtij viti, do i lënë t’i sjellin mbeturinat në deponi, si çdoherë tjetër.

“Jemi lodhur nga premtimet boshe të kompanisë Pastrimi. Ata kanë pasur alterantiva për pagesa ndaj nesh, po ashtu, kanë edhe alternative për t’i dërguar mbeturinat në deponitë regjionale. Si do që të jetë, të shohim pas datës 15 se si do përgjigjen nga kjo kompani”  kanë thënë nga kjo kompani.

Heqjen e kufizimit të orarit nga KPMDK-së e kanë mirëpritur kompania ‘Pastrimi’.

Arbnorë Ademi, zyrtare nga kjo kompani, i tha Syrit se pas pagesës, mbeturinat po dërgohen në deponi normalisht, kurse, sa i përket pjesës se çka do bëjnë pas datës 15 korrik, tha se janë duke parë mundësitë.

“Po, e kemi bërë një pagesë simbolike dhe është hapur deponia për mbeturina. Kurse, sa i përket pjesës çka pas datës 15 nuk mund të them asgjë pasi gjërat mund të ndryshojnë në këtë hapësirë 10 ditëshe. Ne lusim qytetarët që t’i paguajnë borxhet e tyre, në mënyrë që edhe ne të jemi në gjendje t’i paguajm borxhet tona” tha ajo.

Po ashtu, Ademi theksoi se kanë bërë kërkesë në komunat që operojnë, për rritjen e çmimeve të faturave, por, deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.

“Jemi në pritje të përgjigjes nga komunat pasi kemi bërë kërkesë që të rritet çmimi i faturave, në mënyrë që edhe ne të kemi më të lehtë t’i paguajm borxhet që kemi” përfundoi zyrtarja.

Nga ana tjetër, qytetarët e Prishtinës po ankohen për mosmarrjen e mbeturinave nga ‘Pastrimi’, duke u bërë thirrje atyre që të bëjnë një zgjidhje, e të mos mbushet kryeqyteti me bërllok, sidomos tani që temperaturat janë shumë të larta, e shpërndarja e mbeturinave do nënkuptonte dhe shpërndarjen e ndonjë epidemie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco