Qeveria Kurti dhe deputetët e Vetëvendosjes e 'bllokojnë' Gjykatën e tenderëve

Qeveria Kurti dhe deputetët e Vetëvendosjes e 'bllokojnë' Gjykatën e tenderëve

09:29, 24/11/2021 Nga Dardan Gashi

Qindra ankesa nga operatorët ekonomik që nga data 31 mars e këtij viti 2021, kanë mbetur pa përgjigje. Kjo pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord dhe si rezultat ankesat e operatorëve ekonomik nuk mund të shqyrtohen. Një pjesë të fajit për këtë zvarritje e kanë edhe deputetët e pozitës të cilët votuan kundër anëtarëve të propozuar.

Në seancën e të martës të Kuvendit të Kosovës, nuk ka pasur kuorum as për votimin e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Për këtë pikë të rendit të ditës kanë votuar vetëm 52 deputetë, ku pozita ka qenë kundër.

Qeveria dhe partia që ka shumicën në kuvend janë kritikuar nga opozita se të njëjtit nuk kanë shprehur qëndrim për listën e propozuar për anëtarët e bordit të OSHP-së.

Hezitimi i pozitës për ta votuar këtë pikë bënë që të gjithë tenderët për të cilët ka ankesa janë të pezulluar dhe nuk mund të ndërmerret asnjë veprim nga ana e institucioneve deri sa të emërohet bordi i OSHP-së.

E në një deklarim të mëhershëm nga OSHP, deri më datën 30 shtator të këtij viti janë dorëzuar 708 ankesa, të cilat kanë mbetur të pa shqyrtuara në mungesë të bordit.

Kandidatët të cilët janë propozuar nga organ përzgjedhës i pavarur për bordin e OSHP-së janë: Ardian Behra 32.3 pikë, Hasim Krasniqi 28.7, Faruk Rexhaj 28, Adem Spahiu 26.3 dhe Ruzhdi Morina 26 pikë.

Sipas Agon Hysaj nga “Instituti Demokratik i Kosovës”, i cili merret me monitorimin e proceseve të prokurimit, mungesa e bordit të OSHP-së ka pasoja të mëdha në tenderët që janë dorëzuar ankesa. 

Hysaj, për Syri.net Kosova, deklaron se njëpjesë e madhe e këtyre mjeteve janë investime kapitale që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.  

“Që nga data 31 mars 2021, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord dhe si rezultat ankesat e operatorëve ekonomik nuk mund të shqyrtohen. Të gjithë tenderët për të cilët ka ankesa janë të pezulluar dhe nuk mund të ndërmerret asnjë veprim nga ana e institucioneve deri sa të emërohet bordi i OSHP-së. Deri më tani, janë dorëzuar mbi 700 ankesa për. Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve janë investime kapitale që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve” thotë ai.

Tutje, Hysaj thekson se vonesa e krijimit të bordit të OSHP-së shkakton probleme të mëdha pasi investimet kapitale e mallrat e shërbimet mbesin të bllokuara si rezultat i ankesave.

“Pasi tani është fundi i vitit fiskal shumë mjete do të tërhiqen dhe në raportin e Auditorit për vitin 2021 shumë komuna do të dalin më përqindje të ulët të realizimit të buxhetit për investime kapitale” shprehet ai për Syri.net Kosova.

Sipas tij, Kuvendi duhet ta marrë seriozisht këtë problem dhe të votohen sa më parë emrat e propozuar nga komisioni.

Ndryshe kandidatët të cilët janë propozuar nga organ përzgjedhës i pavarur për bordin e OSHP-së janë: Ardian Behra 32.3 pikë, Hasim Krasniqi 28.7, Faruk Rexhaj 28, Adem Spahiu 26.3 dhe Ruzhdi Morina 26 pikë.

Kujtojmë se situatë e njëjtë, kur OSHP kishte mbetur pa bord, kishte ndodhur edhe në vitin 2013. Për shtatë muaj me radhë, nga muaji korrik 2013 deri në mars të vitit 2014, ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.

Bordi i ri në atë kohë, me një konkluzion kishte vendosur për mosshqyrtimin e ankesave që ishin mbledhur gjatë vitit 2013, me arsyen se ka kaluar afati për shqyrtimin e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco