Është konfirmuar nga vetë Sandër Lleshaj, lajmi i SYRI.net se Plarent Ndreca, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ka dhënë dorëheqjen mëngjesin e kësaj të premteje.
Ai e mbante këtë post, që nga data 18 korrik të 2019-s.
Më herët, Plarent Ndreca, i diplomuar si jurist ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, si dhe sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.
Aktualisht nuk dihen arsyet e largimit të Ndrecës, përveç një deklarate të tij në media ku thotë se do të kalojë në një detyrë tjetër.
Menjëherë pas këtij largimi është bërë edhe emërimi i ri, në këtë post të rëndësishëm në ministrinë e Brendshme. Është zyrtarizuar se Ndreca është zëvendësuar nga Elena Pici, e cila vjen nga Këshilli i Ministrave.
Por kush është zëvendësuesja e tij?
Elena Pici 30-vjeçare, deri më tani ka punuar në zyrën pranë Edi Ramës në Këshillin e Ministrave. Më herët nuk dihet se çfarë pozicionesh apo pune ka kryer.
I vetmi informacion në faqen e internetit është se, ‘Elena Pici, pasi u diplomua në një universitet privat në Shqipëri në Departamentin e Ekonomisë, fitoi bursë në Britaninë e Madhe, në Universitetin Chevening dhe ndoqi studimet Master në Zhvillimin Ekonomik në London School of Ekonomi dhe Shkencat Politike (LSE).
Pas diplomimit, Elena u kthye në Tiranë, ku filloi punën në Bankën e Shqipërisë, Departamenti i Mbikëqyrjes’.
Imazhi i saj për opinionin publik lidhet me modelen bukuroshe që luan `kamerieren` klipin e famshëm të këngëtarit Alban Skënderaj në këngën ‘Mirëmëngjesi’.
© SYRI.net