Pas drejtorit të ISHSH në Elbasan, Partia Demokratike ka paditur drejtorin e Ujësjellësit në Rrogozhinë, që sipas selisë blu po përdor administratën për zgjedhje. Partia Demokratike Rrogozhinë thotë se dënon këtë akt të Skënder Dedej, duke e konsideruar si kriminal.
“Formulari i mbledhjes së votave për Partinë Socialiste prek edhe të gjitha institucionet në Rrogozhinë.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Rrogozhinë Skender Dedej, shkel hapur ligjin dhe shantazhon punonjësit për plotësimin e një Formulari partiak të paligjshëm. Ky është krim dhe abuzim i rëndë me detyrën.
Partia Demokratike Rrogozhinë dënon këtë akt kriminal të Skënder Dedej dhe e garanton se do të përballet me forcën e ligjit, pa asnjë hezitim.
Gjatë ditës së sotme kemi përcjell të dhënat e plota për kallëzimin e tij në prokurori për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të Kodit Penal.
Partia Demokratike Rrogozhinë garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshem, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021”, thuhet në njoftimin e PD.
Denoncimi i punonjësit të UKRR, që sipas PD ka përcjellë provat mbi këtë rast të shkeljes hapur të ligjit:
“Pershendetje i nderuar si kalove,jam nje punonjes i Ujesjelles Kanalizime Rrogozhine dhe doja tju vija ne dijeni se drejtori jone Skender Dedej po na kerkon nga 10 deri 50 emra nga fisi jone per t'i marre kartat e identitetit e numrat e telefonit per numer per zgjedhjet e prillit. Ne jemi punetore te thjeshte me rroge 220 mije leke me makinat tona e cdo te keqe”
© SYRI.net