Ushtria e Kosovës me poligon të trajnimeve,  ky është vendi ku do të ndërtohet

Ushtria e Kosovës me poligon të trajnimeve, ky është vendi ku do të ndërtohet

14:08, 10/09/2020

Forca e  Sigurisë së Kosovës do të bëhet me poligon të përgjithshëm për nevoja dhe trajnime të ushtarëve.

 

Qeveria e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ndër të tjera miratoi vendimin për procesin e shpronësimit të parcelave, që do të preken nga ndërtimi i poligonit e që do ta ketë lokacionin në komunën e Gjakovës.

Bazuar në vendimin e qeverisë, që u mor gjatë korrikut, për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave, zonat kadastrale janë fshatrat: Babaj i Bokës, Shishman i Bokës, Popoc, Ponoshec, Cerret dhe Devë e komunës së Gjakovës.

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, kanë thënë për Fakte Plus, se procedurat e shqyrtimit janë në fazën fillestare dhe se elaborati për shpronësim është dërguar në Ministrinë e Financave për vlerësimin e pronave, që do të përfshihen në ndërtim.

“Procedurat janë në fazën fillestare të shqyrtimit dhe se Departamenti i Shpronësimit ka dërguar Elaboratin e shpronësimit në Zyrën për Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme/Ministrinë e Financave dhe tani ajo konform Udhëzimit të cekur në pikën 2 do të bëjë caktimin e vlerës së pronave ndërsa mjetet fiananciare për pagesen e shpronësimit do të sigurohen nga Ministria e Mbrojtjes”, kanë thënë nga kjo ministri.

E nga Ministria e Financave thonë se nuk dihet ende sa do të jetë vlera për ari tokë, sepse Departamenti i Tatimit në Pronë ende nuk e ka bërë vlerësimin.

“Në lidhje me vlerën për një ari tokë, ju njoftojmë se si Ministri e Financave – departamenti i Tatimit në Pronë akoma nuk e ka bërë vlerësimit, jemi në fazën e shqyrtimit dhe verifikimit të elaboratit për të parë nëse është i kompletuar dhe a i plotëson kushtet për të filluar me fazën e vlerësimit të pronave të paluajtshme”, kanë treguar ata.

Ndërsa, sipas Ministrisë së Mbrojtjes zona e caktuar për poligon është e mjaftueshme për ushtrimet e FSK-së. Sipas tyre, ushtrimet ushtarake, në këtë poligon mund të bëhen deri në nivel batalioni.

“Në kuadër të planit gjithëpërfshirës të transformimit dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale të FSK-së, është e paraparë edhe ngritja e poligionit të ushtrimeve ushtarake. Lokacioni i përzgjedhur në hapësirë të mjaftueshme   për ushtrime deri në nivel bataljoni është përzgjedhur në Babaj të Bokës komuna e Gjakovës”, janë shprehur nga MM.

Ndryshe, kjo ministri do të ndajë mjetet për pagesën e shpronesimeve, ndërsa poligoni do të jetë pronë e FSK-së.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligjet, me të cilat  u mundësua transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. Përmes këtyre tri ligjeve parashihet që transformimi me kapacitete të plota në ushtri, mund të shkojë deri në 10 vite, që nga miratimi i tyre.

Deri më tani,  FSK ka mbi 3000 ushtarë aktiv, numër ky që pritet të rritet përgjatë 10 viteve të transformimit

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco