Dashuria, divorci: Ç'të bëjmë kur kemi mbërritur në atë pikën 'pa kthim'?

Dashuria, divorci: Ç'të bëjmë kur kemi mbërritur në atë pikën 'pa kthim'?

17:34, 25/07/2024

Nga pastor Akil Pano, Kisha Ungjilli i Krishtit. Lektor i Filozofisë UT

Çfarë mund të bëjmë kur kemi mbërritur në një pikë, në dukje pa kthim pas? Kur zhgënjimi, dhimbja dhe pafuqia varrosin kujtimet mbi ditët e lumtura të së shkuarës dhe vullneti për një rikthim mungon? Cila është kura, nëse ekziston diçka e tillë?

Së pari me lejoni të ndaj me ju disa të pavërteta që çiftet besojnë ndërsa jeta dhe marrëdhënia e tyre vuan:

1- Nuk jam i/e lumtur.
2- Partneri nuk i plotëson nevojat e mia.
3- Dashuria ka përfunduar.
4- Mendoja që deri tani partneri do të ndryshonte.
5- U martova me personin e gabuar...
6- Jam i lodhur nga debatet dhe mungesa e paqes, nuk ka shpresë për këtë marrëdhënie.
7- Më mirë një fund I tmerrshëm se një tmerr pafund. Divorci është zgjidhje më përshtatshme.

Përgjatë 30 viteve të mia në detyrën e pastorit (deri tani) kam keshilluar burra dhe gra të cilët kishin mbërritur në vendin e një zhgënjimi absolut dhe si rrjedhojë, një mungese të thellë dëshire e shprese për një rikthim a pajtim të mundshëm në martesën e tyre.

Zakonisht shpenzoj mjaft kohë duke dëgjuar historitë e tyre. Jo rrallë herë më ka ndodhur të dëgjoj njërën nga ‘gënjeshtrat e listës’ e hera-herës më shumë se një dhe të kombinuara mes tyre.

Kura? Nëse do ta quanim kështu, pasi jemi mësuar të marrim receta për shërimin e trupit, por për shpirtin dhe marrëdhëniet eksperienca na ka mësuar që shërimi është një ndërmarrje e vështirë, në fakt më e vështira. Pra nga ku mund të fillojmë proçesin e shërimit të shpirtit dhe marrëdhënieve?

Nga e vërteta. E vërteta është forca e cila na çliron dhe kura që sjell shërimin. Në mes të një oqeani shqetësimesh, e vërteta ju shtyn drejt molit nga ku shërimi ju mirëpret në krahët e tij. Ndaj miq, mos e refuzoni të vertetën dhe në rastet kur ajo dhemb.

Në këtë shkrim të shkurtër, nga këtu do të spjegoj se çdo të thotë, të japësh në një marrëdhënie, duke iu referuar mendimit të psikologut dhe filozofit hebreo-gjerman Erich Fromm, i cili mundi t’i shpëtojë asgjesimit në kampet naziste duke u zhvendosur në SHBA.

“Dashuria është fuqia që e bashkon njeriun me të tjerët. E ndihmon njeriun të kapërcejë ndjenjën e vetmisë e të izolimit dhe e lejon atë të mbesë vetvetja, të ruajë tërësinë e tij. Paradoksi i dashurisë qëndron në atë që dy qenie përbëjnë një të tërë dhe prapëseprapë mbeten veç, dy qenie të veçanta. Të dashurosh do të thotë para së gjithash të japësh e jo të marrësh.

Por, ç’do të thotë të japësh? Shpesh kjo ngatërrohet duke u kuptuar si diçka pa kthim, si heqje dorë, sikur bie viktimë. Sipas mendësisë së tregut njeriu jep me dëshirë, por ama kërkon patjetër si shkëmbim të marrë dhe ai diçka. Të japë, pa marr diçka mbrapsht do të thotë të dalë i zhgënjyer e i mashtruar.”
Një pjesë e mirë e burrave dhe grave të cilët ndihen se dhanë gjithçka në martesën e tyre, por dolën prej saj sepse nuk morën asgjë mbrapsht veç dhimbjes, ndihen pikërisht kështu: të zhgënjyer dhe të mashtruar.

“Por kemi dhe grupin tjetër i cili mendon së ‘të japësh’ do të thotë të sakrifikosh dhe këtë veprimtari e quajnë virtyt. Frommi thotë se për këta persona, të japësh do të thotë të shkaktohet vuajtje. Duke iu referuar normës Biblike “më mirë të japësh sesa të marrësh “ ky grup nënkupton durim dhe nënshtrim.
Por kemi dhe grupin i cili priret ta shohë aktin sublim të dashurisë si një forcë aktive në veprim. Për ta, të japësh është shfaqja me e lartë e fuqisë. Kur jap, unë ndjej fuqinë time, pasurinë time. Dhe kjo është ajo çka më mbush me gëzim.

Të japësh është shumë më e gëzueshme se të marrësh, jo se nuk më pëlqen të marr, por sepse duke dhënë unë ndjej që jetoj. I pasur nuk është ai që ka shumë, por ai që jep shumë.

Më e rëndësishmja nuk është të japësh materialisht, por vlerat specifike njerëzore.

E ç’i jep një njeri një tjetri? Ai i jep vetveten, gjënë më të çmuar që ka, ai jep jetën e tij... ai ndan me të gjithçka të gjallë që ka me vete: gëzimin, interesat e tij, mendimet, dijenitë, gjendjen shpirtërore, hallet dhe pikëllimet, të gjitha përjetimet dhe shqetësimet e jetës së tij.

Kështu pra duke e ndarë jetën e tij, njeriu pasuron një tjetër, duke zmadhuar fuqinë e tij jetësore e njëkohësisht edhe të vetën. Ai nuk jep që të marrë sepse për të, të japësh është kënaqësi dhe gëzim. Por duke dhënë, njeriu i shton diçka jetës së tjetrit dhe kjo diçka në një farë mënyre i kthehet, e pastaj duke dhënë ai merr atë që kthehet.

Duke dhënë në e shtyjmë edhe tjetrin që të japë dhe ai, e në këtë mënyrë në e ndajmë të dy këtë gëzim që e shkaktuam vetë.

Kur dy veta japin, diçka lind dhe atëherë të dy janë mirënjohës për jetën e re që lind për të dy. Për dashurinë kjo do të thotë se dashuria është fuqia që lind dashurinë, kurse pafuqia është paaftësia për të lindur dashuri.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco