'Mos më lësho dore në pleqëri' - Më 28 korrik, Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve

'Mos më lësho dore në pleqëri' - Më 28 korrik, Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve

15:45, 25/07/2024

Dita e katërt Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve 2024 do të festohet të dielën e ardhshme më 28 korrik. Tema e zgjedhur nga Papa për këtë ngjarje kishtare e shoqërore është "Mos më lësho dore në pleqëri" e "synon të nënvizojë se sa vetmia është, për fat të keq, shoqëruesi i hidhur në jetën e shumë të moshuarve që shpesh janë viktima të kulturës së flakjes e harresës”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të Vatikanit.

Në vitin e përgatitjes për Jubileun 2025, të cilin Ati i Shenjtë ka zgjedhur t'ia kushtojë lutjes, tema e Ditës së IV Botërore kushtuar Gjyshërve dhe të Moshuarve është marrë nga Psalmi 71, lutja e një të moshuari që përshkon historinë e tij të miqësisë me Zotin. Kremtimi i kësaj Dite, duke vlerësuar karizmat e gjyshërve dhe të të moshuarve dhe kontributin e tyre në jetën e Kishës, synon të inkurajojë përkushtimin e çdo komuniteti kishtar në ndërtimin e lidhjeve ndërmjet brezave dhe në luftën kundër vetmisë, të vetëdijshëm se - siç thotë Bibla - “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm” (Zanafilla 2,18).

Në këtë drejtim, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, Kardinali Kevin Farrell, ka thënë: "Unë jam thellësisht mirënjohës ndaj Atit të Shenjtë që e zgjodhi si temë të Ditës së IV-të Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve vargun e Psalmit 71: 'Mos më lësho dore në pleqëri', sepse sikur na kujton 'lutja e një të moshuari', vetmia është një realitet fatkeqësisht i përhapur, i cili shpesh prek shumë të moshuar, janë viktima të kulturës së hedhjes e harresës dhe konsiderohen si një barrë për shoqërinë. Përballë këtij realiteti, familjet dhe komunitetet kishtare janë thirrura të jenë në krye të promovimit një kulturë të afërsisë dhe takimit, për të krijuar, kështu, hapësira për bashkëndarje, për dëgjim, për të ofruar mbështetje dhe dashuri: kështu e mishërojmë dashurinë ungjillore”, nënvizon kardinali Farrell.

Po kujtojmë se Papa Françesku vendosi, në vitin 2021, që  kjo ditë  të kremtohet çdo vit, të dielën e katërt të korrikut, pranë festës së shenjtorëve Joakim dhe Ana, gjyshër të Jezusit. Sivjet 2024 festohet më 28 korrik. Papa Bergoglio e vlerëson shumë kujdesin për të moshuarit dhe dialogun e tyre me brezat e rinj. Për më tepër, gjatë këtij viti 2024 kushtuar lutjes, Ati i Shenjtë Françesku na fton të ndërgjegjësohemi gjithnjë e më shumë për vlerën e tyre në jetën e shoqërive dhe të bashkësive tona dhe ta bëjmë këtë në një mënyrë jo episodike, por strukturore, sepse Dita kushtuar gjyshërve dhe të moshuarve ndihmon për të hedhur bazat e kujdesit të zakonshëm baritor të kësaj stine të jetës. Kështu, me rastin e Ditës së ardhshme të Gjyshërve, Papa i fton famullitë kishtare, dioqezat, shoqatat dhe bashkësitë kishtare nga e gjithë bota për ta kremtuar këtë ditë në bashkësitë e tyre baritore.

Kështu, Dita Botërore të Gjyshërve dhe tё Moshuarve është një ndër ditët e përshtatshme për t’u shprehur gjyshërve tanë mirënjohjen, respektin, solidaritetin, për urtinë e fituar përmes përvojës së viteve dhe për flijimet që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë posaçërisht për nipërit e jo vetëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco