Gjykatësi që rihapi shqyrtimin kryesor ndaj Granit Elshanit pritet të pensionohet pas 1 jave

Gjykatësi që rihapi shqyrtimin kryesor ndaj Granit Elshanit pritet të pensionohet pas 1 jave

11:12, 23/09/2020

Me 21 shtator të këtij viti ishte caktuar të shpallej aktgjykimi ndaj Granit Elshanit, i cili nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Mirëpo, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, pasi ishte rihapur shqyrtimi kryesor, për shkak të dilemave në vërtetimin e disa fakteve.

Rihapjen e shqyrtimit kryesor e kishte bërë trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Sylë Lokaj, me anëtarë gjykatësit Prek Palushi dhe Sulltan Dobraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Lokaj, pas më shumë se 3 orë diskutim, kishin konstatuar kundërthënie në mes të deklarimit të dëshmitarit Hasan Buqaj dhe atë të ekspertit mjekoligjor, sa i përket pozicionit të qitjes me armë në natën kritike.

Por, rigjykimi për këtë rast, i cili deri më tani ka zgjatur rreth 1 vit e 7 muaj, mund të zgjasë edhe më shumë se sa parashihet.

Kjo pasi gjykatësit Lokaj, me 1 tetor të këtij vitit, pritet t’i përfundohet mandati i ushtrimit të funksionit të gjykatësit, për shkak të arritjes së moshës së pensionimit.

Një gjë të tillë, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.

Pensionimi i gjykatësit shkakton përfundimin e mandatit të gjykatësit, sipas Ligjit mbi Gjykatat, të paraparë në nenin 34, paragrafi 1, pika 1.4.

E në bazë të nenit 310, paragrafit 1 të Kodit të Procedurës Penale, kur përbërja e trupit gjykues është ndryshuar, shqyrtimi gjyqësor i shtyrë fillon rishtas.

Mirëpo, në rastin e tillë, trupi gjykues pas dëgjimit të palëve mund të vendosë që dëshmitarët dhe ekspertët të mos merren sërish në pyetje dhe të mos bëhet këqyrja e re e vendit, por të lexohen deklarimet e dëshmitarëve dhe ekspertëve të dhëna në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor, apo të lexohet procesverbali i këqyrjes së vendit.

Ndryshe, lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Pejë, me 30 maj të vitit 2018, ka shqiptuar 25 vjet burgim, ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohet për vrasje dhe tri tentim vrasje, për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Kurse, Apeli kishte anuluar aktgjykimin në fjalë, duke miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, për shkak se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë, është në kundërshtim me vetveten dhe me arsyetimin e aktgjykimit dhe nga provat e administruara ka kundërthënie në mes dëshmive të dëshmitarëve rreth përshkrimit të personit i cili ka shtënë me armë.

Sipas aktakuzës Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco