Historia e Hirushes moderne/ Dikur refugjate lufte, njihuni me mbretëreshën Rania të Jordanisë

Historia e Hirushes moderne/ Dikur refugjate lufte, njihuni me mbretëreshën Rania të Jordanisë

20:08, 18/12/2020

Të gjithë kemi dëgjuar për historinë e Kate Middlenton apo Meghan Markle, të cilat u martuan në familjen mbretërore angleze, duke u shndërruar brenda natës nga vajza të thjeshta në personalitete të aristokracisë.

Po ju tregojmë historinë e Mbretëreshës Rania e Jordanisë, e cila konsiderohet si një nga gratë më me ndikim në botë.

Rania është një zë i fortë femëror në botën arabe dhe një ‘avokate’ e fuqishme global për arsimin, shëndetin dhe të drejtat e grave.

Sot ajo është mbretëreshë, por jeta e Rania-s nuk ka qenë aspak e thjeshtë.

Rania lindi në Kuvajt, në një familje me origjinë nga Palestina. Pas shpërthimit të luftës, familjes së saj iu desh të largohej nga vendi. Vitet e para të emigrimit të tyre, familja i kaloi në një kamp refugjatësh në Jordani. Edhe pse në kushte të vështira, Rania ra në sy për inteligjencën e saj dhe përkushtimin në mësime.

Rania u diplomua për Menaxhim Biznesi në Universitetin Amerikan Të Kajros, në Egjipt në të cilin fitoi bursën e ekselencës. Ajo u kthye sërish pranë prindërve të saj në Amman, kryeqytetin e Jordanisë, ku filloi punë në departamentin e marketingut, në një nga degët e kompanisë “Apple”.

Në një festë të kompanisë në 1993, ajo njeh bashkëshortin e saj, princin e kurorës, që sot është mbreti Abdullah i II i Jordanisë. Ata u fejuan dy muaj pas takimit të tyre të parë.

Fotot e dasmës së Ranias bënë xhiron e botës dhe ajo konsiderohet edhe sot si një nga nuset më të bukura mbretërore.

Në kohën e dasmës, Rania nuk mendonte se do ngjitej në fron si mbretëreshë, pasi ishte xhaxhai i bashkëshortit të saj pretendenti kryesor për tu bërë mbret. Por gjërat ndryshuan shumë shpejt, kur pak para se të vdiste, mbreti Hussein bin Talal shpalli si pasues djalin e tij dhe bashkëshortin e Ranias, mbretin Abdullah i II.

Në mars të vitit 1999, Rania kurorëzohet si Mbretëresha e Jordanisë, 3 muaj pas hipjes në fron të bashkëshortit të saj. Mbretëresha e re nuk qëndroi asnjë ditë në hijen e burrit të saj, por ka qënë vazhdimisht pjesë aktive e jetës publike në vend, duke marrë përsipër shumë kauza dhe duke u shndërruar në një nga faktorët më të rëndësishëm të monarkisë. Gjithashtu ajo konsiderohet të jetë këshilltarja më me ndikim e mbretit Abdullah.

Cifti mbretëror ka 4 fëmijë; Princin e kurorës Al- Hussein, princeshë Iman, princeshë Salmën dhe princ Hasheem.

Rinia, statusi mbretëror dhe bukuria joshëse e Rania-s e bënë menjëherë atë të njihet si një ikonë ndërkombëtare.

Ajo u fotografua në shfaqjet e modës dhe ngjarjet shoqërore të shoqërisë së lartë, duke u përzier zakonisht me një koleksion të bukur të elitës globale. Një zë progresiv femëror në botën arabe, Mbretëresha Rania u bë një avokate e fuqishme për reformën në arsim dhe shëndetin publik, zhvillimin e një industrie të qëndrueshme të turizmit në Jordan, fuqizimin e të rinjve dhe dialogun ndërkulturor midis Perëndimit dhe botës Arabe. Ndoshta më e rëndësishmja, ajo punoi si një kundërshtare e hapur e praktikës tradicionale të "vrasjeve të nderit", vrasjes së grave nga anëtarët e familjes së tyre për shkeljet e perceptuara të kodit moral islamik.

Gjithashtu, Mbretëreshë Rania njihet gjërësisht si një nga gratë më me stil në botë. Veshjet e saj jo pak herë përfundojnë nëpër faqet e revistave. Kritikët e modës e kanë ndër të preferuarat e tyre dhe e lavdërojnë vazhdimisht zgjedhjet e saj.

Në pikun e krizës së refugjatëve, mbretëreshë Rania ka vizituar personalisht shumë kampe duke u shndërruar në një zë avokatues për ta. Ajo ka në patronazh një numër të konsiderueshëm shoqatash bamirësie, që ndihmojnë në veçanti fëmijët dhe gratë.

Si një mbretëreshë moderne, Rania është aktive edhe në rrjetet sociale. Ajo numëron miliona ndjekës në instagram, ku dhe ka përshkruar veten në mënyrën më interesante dhe të modeste të mundshme./Burimi: Royal Center, Business Insider,/ Pershtati:K.H/Syri.net/ 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco